Shkodra mirëpret festivalin e filmit ‘Ekrani i Artit'! Katër ditë filma, dokumentarë, muzikë dhe ekspozita

Kultura

Shkodra mirëpret festivalin e filmit ‘Ekrani i Artit'! Katër ditë filma, dokumentarë, muzikë dhe ekspozita

Më: 6 qershor 2024 Në ora: 14:53
Foto ilustrim

Në Shkodër ka nisur festivali “Ekrani i Artit” që vazhdon deri më 9 qershor. Do të shfaqen disa filma dhe dokumentarë të regjisorëve vendas e të huaj. Po kështu janë planifikuar ekspozita dhe biseda të hapura me artistët e ftuar.

Shkodra ka hapur dyert në Kinema Republika për edicionin e 7-të të festivalit “Ekrani i Artit”, me organizator Ardian Pacin. Artistë nga vendi dhe bota marrin pjesë me filma, ekspozita, video instalacione dhe performanca artistike. Janë gjithsej 56 artistë, mes tyre 15 shqiptarë. Në këtë edicion shfaqen 45 filma. 35 prej tyre, shfaqen për herë të parë në Shqipëri.  Po kështu do të jenë 3 ekspozita, 4 instalacione-video, performanca, biseda me artistë të ftuar dhe orë të panumërta me muzikë e vallëzim.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në një intervistë për mediat është shprehur i kënaqur për rivendosjen në punë të kinemasë së qytetit si një hapësirë publike për të gjithë qytetin, nderkohe që puna për rikonstruksionin e plotë do të vijojë.

“Ekrani i Artit” do të vazhdojë deri më 9 qershor, me vepra të video artit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion, punime nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë që do të shfaqen në Kinema Republika, Art House, Galerinë e Arteve, Vendin e Dëshmise e Kujtesës, Qëndrën Rinore Arka, Auditorin Franceskan, Galerinë Oda dhe në Kalanë e Rozafës. Ndërkohë Ekrani i Artit vazhdon traditën e tij për të mos e përsëritur asnjëherë vetveten, jo vetëm duke sjellë filma e autorë të rinj, por duke rinovuar vetë strukturën e Festivalit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat