Një përleshje fizike ka ndodhur së fundmi te njëra nga hyrjet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku dy persona janë rrahur mes vete pas një mosmarrëveshje momentale. Të dyshuarit përfunduan në ndalim policor dhe ndaj tyre tashmë kanë nisur hetimet.
Incidenti ka ndodhur pasditen e 21 korrikut, që u raportua si rast dje nga Policia, por pa u zbuluar lokacioni dhe detajet e tjera.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit që janë përfshirë në rrahje janë një punëtor i sigurimit dhe një arkëtar i QKUK-së.
Bazuar në informacionet e para, rasti ka ndodhur si pasojë e një konflikti që plasi mes tyre lidhur me një pagesë të hyrje-daljes në QKUK – e që eskaloi në dhunë fizike.
Pasi Policia ka intervenuar, të dyshuarit kanë marrë trajtim mjekësor dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tyre, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.