Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze që eskaloi edhe në sulme duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Ndër motivet më të shpeshta janë pakënaqësitë e shoferëve për shqiptimin e gjobave pas thyerjes së rregullave në trafik.
Për rastin që ndodhi së fundmi në kryeqytet, Policia arrestoi një person, i cili përfundoi në ndalim policor.
I dyshuari është kapur me policët pasi e ndalën për kontroll në rrugën “Lidhja e Pejës”, ku gjatë verifikimit rezultoi se shoferi po voziste pa patentë shoferë.
I njëjti edhe pse e kishte patentën e konfiskuar po lëvizte me veturën e tij, për çka Policia vendosi t’ia konfiskojë edhe automjetin.
Por, zyrtarët policorë u përballën me ofendime e kanosje nga i dyshuari, i cili për pasojë u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i njëjti të dërgohet në mbajtje.
Me vendim të tij, ndaj 33-vjeçarit është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.