Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Ferizaj, pasi i njëjti është zënë duke prerë drunjë në malet e Jezercit.
Arrestimi i tij u bë në fshatin Jezerc.
“Policia e stacionit në Ferizaj, veç aktiviteteve të ndryshme në parandalim të incidenteve dhe aksidenteve në rrugë, bazuar në planin aktiv “Mbrojta e pyjeve 2024″, me datën 20.07.2024, rreth orës 23:00 në fshatin Jezercë të Ferizajt, tek vendi i quajtur ” Derman” kanë ndaluar/ zënë në flagrancë një person, i cili kishte prerë drunjë në malet e Jezercit, pronë e shtetit”, bëhet e ditur në njoftim.
Tutje, policia njofton se ka marrë veprimet e nevojshme, dhe e ka shoqëruar në stacionin e policisë personin L.H (M/K) i moshës madhore, ndërsa ka konfiskuar traktorin me rimorkoi, si dhe motorrsharrën.
Në lidhje me këtë janë njoftuar edhe zyrtarët e pyjeve, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfiskuar sasinë e drunjëve.
“I dyshuari pasi është intervistuar nga policët hetues, me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.
Policia Rajonale e Ferizajt po bënë përpjekje të vazhdueshme në bashkëpunim edhe me rojet e pyjeve në parandalim të prerjes, transportit dhe shitjes ilegale të drunjëve.
Policia fton qytetarët për bashkëpunim, nëse kanë informacione rreth prerjes, transportit apo shitjes ilegale të drunjëve, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406, policia do të reagojë menjëherë dhe do të koordinojë aktivitetet me rojet e pyjeve.