Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur të premten në Dragash, teksa Policia e Trafikut Rajonal në Prizren po patrullonte në një pikë kontrolli.
Dy persona që ndodheshin në një motoçikletë dyshohet se nuk e përfillën urdhrin e Policisë për t’u ndalur dhe ikën, ku gjatë rrugës dyshohet se njëri prej tyre e ka goditur një zyrtar policore.
Sinjali ka mësuar se personi që po dyshohet lidhur me këtë rast është Përparim Piraj, rreth 33-vjeçar, i cili tashmë ndodhet në mbajtje.
Pasi Policia ndërmori veprimet e nevojshme, i dyshuari u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.