Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.
Një rast i tillë ka ndodh edhe sonte në rrugën Viti-Kllokot, ku disa persona për shkak të disa mosmarrëveshjeve në komunikacion janë përleshur mes vete.
Rastin e ka konfirmuar Policia rajonale e Gjilanit, e cila ka njoftuar se e gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00
“Nga hetimet e para besohet se pas një mosmarrëveshje që kanë pasur në trafik, ne rrugën Viti-Kllokot, disa persona M.K.SH, me dy vetura, janë ndalur para Viva fresh Store në Kllokot dhe dyshohet të jenë përleshur fizikisht”.
“Në stacionin policor janë sjellë tre persona. Për momentin, dyshohet se një person nga fsh. Zhiti, është i lënduar. Është njoftuar Prokurori i shtetit dhe hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar nga Policia e Kosovës në Kllokot”.