Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta. Madje as urdhrat që lëshojnë Gjykatat ndaj të dyshuarve për dhunë në familje jo gjithmonë respektohen dhe për pasojë përsëriten raste të tilla.
Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një familje në Prishtinë, ku një 29-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të shqetësimit që ia ka shkaktuar ish bashkëshorti i saj.
Bazuar në dëshminë e saj, ajo është pajisur me urdhër të mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata, por as kjo nuk e ka ndalur të dyshuarin që ta kërcënojë seriozisht.
Sinjali merr vesh se i dyshuari ka shkuar te shtëpia e familjes së ish gruas dhe e ka kanosur me armë atë dhe babain e saj.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprat penale ‘Mospërfillje e Gjykatës’, ‘Kanosje’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.
Ndryshe, kushdo që nuk i bindet ndonjë urdhri, vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.