Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.
Edhe gjatë ditës së djeshme në një aheng në fshatin Milloshevë në Obiliq u dëgjuan të shtëna, me ç’rast njësitë policore u aktivizuan dhe intervenuan në vendngjarje.
Një person, rreth 23-vjeçar po dyshohet se ka shkrepur armën në shenjë gëzimi në ahengun familjar.
Mësohet se Policia e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të dyshuarin për intervistim.
I njëjti e ka pranuar veprën ndërsa arma të cilën e posedonte, është sekuestruar bashkë me fishekët dhe gëzhojat që u gjetën.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, nën dyshimet se ka kryer veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.