Disa lojëra me pagesë kanë zënë vend në oborrin e shkollës fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë.
Lojërat janë vendosur në hyrjen dytësore të shkollës “Mihal Grameno”.
Ekipi i kallxo më 16.07.2024 i ka vizituar këto lojëra me pagesë që janë vendosur në oborrin e shkollës “Mihal Grameno” dhe ka tentuar të kuptojë se cila kompani është duke operuar aty dhe a posedon ndonjë vendim (leje) nga Komuna e Fushë-Kosovës për të punuar në oborrin e shkollës.
Një person që u prezantua si punëtor në lojërat me pagesë në oborrin e shkollës “Mihal Grameno” nuk pranoi të fliste më shumë, por tha se kanë vendim nga Komuna e Fushë-Kosovës që të punojnë aty.
Media e ka intervistuar drejtorin e Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha, për t’i kuptuar detajet nëse është marrë vendim nga Komuna e Fushë-Kosovës për vendosjen e lojërave me pagesë në oborrin e shkollës “Mihal Grameno”.
Drejtori i Arsimit deklaroi se oborri i shkollës i është dhënë në shfrytëzim operatorit ekonomik përmes një pëlqimi nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe se është kompetencë e kësaj Drejtorie shfrytëzimi i hapësirave publike.
Kurse, drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Gashi, në një bisedë tha se ishte informuar për vendosjen e lojërave në oborrin e shkollës nga kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, dhe drejtori i Arsimit.
“Vendimin e ka marrë Komuna, meqë objekti është i Komunës, unë veç e menaxhoj procesin mësimor. Ata kanë marrë vendim, më kanë thënë që lojërat vijnë edhe kaq” – është përgjigjur Gashi.
Sipas drejtorit Gashi, oborri i shkollës “Mihal Grameno” do të shfrytëzohet nga kompania që ka vendosur lojërat me pagesë deri në një kohë të caktuar të muajit gusht këtë vit.
Gashi ka treguar se edhe një vit tjetër ishte përdorur oborri i shkollës nga një kompani tjetër me lojëra të tjera, porse sipas Gashit, pastaj për 5-6 vjet ishte ndërprerë, nuk ishte shfrytëzuar nga ndonjë kompani tjetër.
Por, ai nuk është i pajtimit që oborri i shkollës “Mihal Grameno” të shfrytëzohet në këtë mënyrë.
“S’jam i pajtimit, sepse hapësira është dashtë të jetë e lirë për nxënës” – ka thënë Gashi.
Se pse ia kanë dhënë kompanisë së lojërave me pagesë në shfrytëzim oborrin e shkollës “Mihal Grameno”, drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha tha se qytetarët e Fushë-Kosovës nuk kanë hapësira të mjaftueshme publike për aktivitete.
“Komuna e Fushë-Kosovës edhe si rezultat i regjistrimit të fundit të popullsisë është e mbipopulluar dhe kemi mungesë të hapësirave publike në shfrytëzim të qytetarëve, kjo është arsyeja kryesore që na në bazë të analizave që i kemi bërë ajo pjesë për momentin është e pashfrytëzuar dhe kemi vendosur që një periudhë kohore me afat njëmujor t’i ofrojmë në shfrytëzim një operatorit ekonomik” – ka deklaruar Berisha.
Për ta marrë në shfrytëzim oborrin e shkollës “Mihal Grameno”, Berisha tha se kishte pasur konkurrencë nga disa operatorë ekonomikë.
Ai ka theksuar se kompetente për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike është Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe jo ajo e Arsimit.
“Sa i përket procedurave të shfrytëzimit të asaj hapësirës, këtu ka pasur një konkurrencë të drejtë, ka pasur disa operatorë të cilët kanë qenë të interesuar dhe Shërbimet Publike, e cila është kompetencë e Shërbimeve Publike dhënia në shfrytëzim të hapësirave publike me afat kohor të caktuar i ka dhënë një pëlqim për shfrytëzimin e asaj hapësire” – ka thënë Berisha.
Kur është pyetur se sa paguan kompania e lojërave me pagesë ndaj Komunës së Fushë-Kosovës për shfrytëzimin e oborrit të shkollës “Mihal Grameno”, Berisha tha se nuk ishte në dijeni.
“Për momentin nuk e di a ka me pasë pagesë fikse apo do të jetë në bazë të afatit kohor apo qysh nuk e di, përderisa po e potencoj që unë nuk kam dhënë, përderisa pronat publike nuk janë në kompetencën e Drejtorisë së Arsimit, ju mund të thoni tash po është oborr i shkollës, po, po këtu ka të bëjmë me Shërbime Publike dhe dhënie në shfrytëzim të hapësirave publike” – ka theksuar Berisha.
Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, media i ka kërkuar Komunës së Fushë-Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Shërbime Publike, më 17.07.2024, vendimin e Komunës për shfrytëzimin e oborrit të shkollës “Mihal Grameno” nga kompania e lojërave me pagesë.
Në dokumentin që ka dërguar Komuna e Fushë-Kosovës thuhet se Drejtoria për Shërbime Publike i ka ofruar pëlqimin kompanisë “Kosova Park 2019” të operojë në oborrin e shkollës “Mihal Grameno” nga data 03.07.2024 deri më 20.08.2024, prej orës 18:00 deri në ora 00:00.
Në këtë pëlqim, për shfrytëzimin e oborrit të shkollës “Mihal Grameno” nga kompania “Kosova Park 2019” nuk shkruan se Komuna e Fushë-Kosovës e ka obliguar atë të paguajë qira por e ka obliguar t’i paguajë obligmet komunale – rrymë, ujë dhe mbeturina, gjatë muajve korrik-gusht 2024.
Kallxo e ka kontaktuar kompaninë “Kosova Park 2019” lidhur me shfrytëzimin e oborrit të shkollës “Mihal Grameno”, por ata nuk kanë pranuar të përgjigjen.
Në anën tjetër, drejtori Berisha ka treguar se çfarë kishte kërkuar të mos ketë gjatë shfrytëzimit të oborrit të shkollës “Mihal Grameno” nga kompania e lojërave me pagesë.
“Në momentin që ka ardhë kërkesa te Shërbimet Publike kam kërku unë që në asnjë mënyrë mos të ketë muzikë, e cila mundet m’i pengu banorët dhe kjo është duke u respektu sipas pëlqimit që e ka lëshu Shërbimet Publike” – ka thënë Berisha.
Se a do të lejonte edhe vitin e ardhshëm të shfrytëzohej oborri i shkollës “Mihal Grameno” apo oborret e shkollave tjera në Fushë-Kosovë nga kompani të tilla të lojërave, Berisha e ka pohuar.
“Sikur te kisha pasë një kërkesë tillë për shkollën “Selman Riza”, e cila është në pjesën e poshtme, kish me vepru njëjtë. Sepse, edhe atje është një pjesë e banorëve, e cila nuk ka hapësirë publike për me dalë me u argëtu dhe pse mos m’i lëshu këto hapësira, m’i lanë bosh, kur kena mundësi m’i dhanë në shfrytëzim të qytetarëve” – ka shtuar Berisha.