Konflikti mes një kompanie legale të transportit me minibusët ilegalë, përfundoi me përleshje fizike në mes të mitrovicasve.
Naser Ahmeti, pronar i njërës nga kompanitë e cila për veprimtari kryesore ka transportin e qytetarëve me autobusë, tregoi për Kiks Kosovën se si i biri i tij u përball fizikisht me njërin nga ata persona të cilët ilegalisht po iu marrin udhëtarët.
55-vjeçari ka thënë se i biri nuk po mund të durojë këtë padrejtësi dhe i gjendur në një situatë të tillë, përfundoi në polici.
Ahmeti, i cili me biznesin e tij të autobusëve mban familjen e tij 20 anëtarëshe, ka thënë se kjo gjendje po e çon punën e tij drejt shuarjes.
Sipas tij, biznesi i cili i paguan të gjitha taksat shtetërore, po detyrohet që të falimentojë nga ata persona të cilët ilegalisht zgjedhin rrugën e lehtë të mashtrimit, marrin para nga udhëtarët, dhe nuk i kthejnë asgjë shtetit.