Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj gjashtë mjekëve të akuzuar në rastin e njohur si “Stenta 2”.
Në këtë rast ku procedura ishte veçuar nga të akuzuarit tjerë, ngarkoheshin mjekët Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi, Murat Abazi dhe Nexhmi Zeqiri për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës. Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të tij.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore në Prishtinë:
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarve E.M, N.Z, F.S, F.S, M.G dhe M.A, për shkak të veprave penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar dhe Marrje e ryshfetit.
Të akuzuarit E.M, N.Z, F.S, F.S, M.G dhe M.A konform nenit 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, lirohen nga akuza për veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar dhe Marrje e ryshfetit.
Gjyaka konstaton se në kuptim të nenit 363 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar, andaj gjykata të njëjtit i liroj nga akuza.
Shpenzimet e procedurës penale, bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate, ndërsa Paluajtshmëritë e pranuara me Aktvendimin me shenjën PPRKRK.nr.286/14, në emër të dorëzanisë për të akuzuarit E.M, N.Z dhe M.A do tu kthehen të njëjteve, pasi që Aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Të dëmtuarit udhëzohen në kontest të rregullt juridiko- civil, për realizimin e kërkesës pasurore juridike.
Nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësorë, provat që janë propozuar nga organi i akuzës, nuk mund të vërtetojnë faktin se tani të akuzuarit kanë kryer secili veç e veç veprat penale për të cilat akuzohen, andaj në mungesë të provave të cilat do të ndërlidheshin në mes vete nuk është argumentuar se këto ndërlidhje të provave kanë ndërlidhje me veprimet individuale të tani të akuzuarve në kuptim të veprave penale për të cilat ata akuzohen, e që rrjedhimisht në mungesë të tyre, gjykata të njëjtit i lirojë nga aktakuza për veprat penale për të cilat ata akuzohen.
Palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.