11 vjet më parë, Besnik Beqiri për pak sa nuk e humbi krahun e tij gjersa po kryente punën në “Trepçë”.
Ngjarje kjo që ndodhi më 23 tetor 2013 në orën 13:30, Besnikun e la me pasoja të përjetshme, por tash e asaj ditë thotë se nuk mori dëmshpërblimin e merituar.
Ai po kërkon nga shteti dhe gjiganti metalurgjik “Trepça” shumën prej 154 mijë eurosh, ani pse thotë se kjo është më e pakta që i takon.
Shto këtu faktin që sipas tij lëndimin e mori pasi ish-drejtori i minierës në Kishnicë, në atë kohë e urdhëroi të kryente një detyrë tjetër nga ajo që kryente çdo ditë, e për të cilën nuk kishte as një njohuri e as që i dinte rreziqet e saj.
Ky lëndim mund të ishte fatal nëse afër tij nuk do ishte një punëtor tjetër që ta ndalonte makinerinë.
Tash e 11 vjet, Besniku është duke pritur që Gjykata të njohë të drejtën e tij të kompensimit, por Themelorja në Mitrovicë ia kishte refuzuar atë.
I ndodhur përball këtij fakti, ai ka vënë shpresat tek Gjykata e Apelit.
Historia e tij me Gjykatat është e gjatë sa edhe lëndimi, kjo pasi në 2017 Besnikut i doli në krah Dhoma e Posaçme në Gjykatën Supreme, duke ia dhënë të drejtën e marrjes se shpenzimeve të lëndimit dhe për pasojat dhe të ardhurave të humbura për shkak të aksidentit.
Gjykatësi që mori këtë vendim ishte i huaj, Werner Kannenberg, ku edhe obligonte ndërmarrjen “Trepça” t’i bënte kompensimin e këtyre të hollave.