Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka kryer një operacion më 23 korrik 2024, duke bastisur 10 lokacione të ndryshme në Pejë dhe Prishtinë.
Operacioni rezultoi me arrestimin e gjashtë zyrtarëve nga departamenti i patentë shoferëve në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët dyshohen për veprat penale ‘keqpërdorimi i detyrës zyrtare’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘marrja e ryshfetit në sektorin privat’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’.
Zyrtarët akuzohen për organizimin e provimeve jashtë orarit zyrtar dhe manipulimin e testeve të kandidatëve për patentë shofer, duke futur rezultatet në sistem në mënyrë të kundërligjshme.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 7800 euro, gjashtë telefona mobilë dhe materiale të ndryshme lidhur me testimet, bën me dije policia.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre dhe gjashtë prej tyre janë ndaluar për 48 orë.
Një person i dyshuar është liruar për arsye shëndetësore, ndërsa për tre të tjerë që nuk janë kapur, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime të nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre.
Për aksionin detaje për Insajderin dha prokurorja e rastit, Valbona Disha – Haxhosaj, ajo shtoi se kanë arrestuar 6 persona, jo të gjithë janë zyrtarë.
“Janë të arrestuar 6 persona, një është liru për shkak të gjendjes shëndetësore – tre persona nuk janë gjetur në shtëpi, janë nëpër pushime”, tha ajo.
“Jo të gjithë janë zyrtarë, janë ekzaminerë, ish-koordinatori i patentë shoferëve, janë edhe disa pronarë të auto-shkollave”.