Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e korrikut të vitit 1998 në Rahovec.
Haradinaj ka thënë se Epopeja e Rahovecit i dha mesazh të qartë armikut.
“Epopeja e Rahovecit, e vitit 1998, i dha mesazh të qartë armikut për vendosmërinë e shqiptarëve që të jetojnë të lirë në trojet e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka kujtuar bashkëluftëtarët që u përjetësuan ato ditë.
“Heroizmi i bashkëluftëtarëve në ato ditë korriku mbetet i paharruar, ashtu siç mbetën të përjetësuar emrat e tyre: Hamdi Berisha, Habib Berisha, Agim Qelaj, Gani Paçarizi, Avdullah Bugari, Agim Kelmendi, Bujar Buzhala, Afrim Krasniqi, Sadik Shala, Ramadan Morina, Faik Rama, Gëzim Hamza, Mizair Isma, Remzi Ukshini, Liman Gegaj, Arian Brahimi, Bekim Isma, Bajram Veliu, Samir Nurkasa, Eshrefedin Kastrati, Gëzim Mullabazi, Xhafer Nurkasa dhe Xhevat Kasapi. Epopeja e lavdishme e Rahovecit, nga përmasat dhe forca e qëndresës, do të mbetet shembull i sakrificës ndër breza”, është shprehur Haradinaj.