Vala e të nxehtit në vend do të vazhdojë edhe përgjatë kësaj fundjave, e shoqëruar me mot kryesisht me diell.
Orëve të pasdites përreth zonave malore, me zhvillime më të fuqishme të vransirave, mund të priten mundësi për ndonjë rrebesh shiu dhe bubullimë. Temperaturat minimale zbresin në 18C e 20C, e ato maksimale shkojnë deri në 35C e 37C, lokalisht 38C.
Vala e të nxehtit, në bazë të trendeve më të fundit, me gjasë do të zgjasë edhe gjatë javës së ardhshme, deri në pjesën e dytë, kur paraqiten tendenca për rënie të temperaturave.
“Nga pjesa e dytë e javës shfaqen sinjale që të kemi zhvillime të rrebesheve dhe bubullima në pjesë malore të vendit, por që mund të përfshinë edhe pjesë të ulëta duke shkuar në fundjavën vijuese. Temperaturat pas një rritje në fillim të javës, deri në 37C e 38C, mund të zbresin në 34C e 35C”, thuhet në njoftiim.
Pas datës 22, temperaturat mbesin ende të larta mbi 30C, ndërkohë që edhe sinjalet për të reshura mbesin të pranishme, kryesisht në formë rrebesesh. Temperaturat minimale, sidomos nga pjesë urbane nuk pritet të zbresin nën 20C, duke regjistruar edhe netë tropike.