​Szunyog në Skenderaj dhe Drenas: BE-ja e përkushtuar për zhvillimin lokal

Kosova

​Szunyog në Skenderaj dhe Drenas: BE-ja e përkushtuar për zhvillimin lokal

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 14:01
Tomas Szunyog

Ambasadori i Zyrës së Bashkimit Evropian-së në Kosovë, Tomas Szunyog, të martën ka vizituar Skenderajn dhe Drenasin, ku është pritur nga kryetarët e këtyre komunave. Gjatë këtyre vizitave është diskutuar për realizmin e projekteve të përkrahura nga BE-ja.

Në Skenderaj, ambasadori Szunyog ka vizituar edhe çerdhen e re të konstroktuar për fëmijë dhe klinikën private psikologjike, të cilat janë të financuara nga fondet e BE-së.

Tomas Szunyog, ka thënë për KP se BE-ja ka një numër të madh projektesh në këtë komunë duke përfshirë edhe disa të tjera që pritet të realizohen.

Ai ka shtuar se kjo komunë është pjesë e grantit të performancës komunale dhe vetëm përgjatë këtij viti ka marrë më shumë se një milion euro për projektet lokale.

Szunyog: Komuna vetëm përgjatë këtij viti ka marrë më shumë se një milion euro nga BE-ja

“Sapo kemi përfunduar diskutimet tona me kryetarin e komunës dhe dua ta falënderoj kryetarin që më informoi për komunën dhe prioritetet zhvillimore. Ne diskutuam gjithashtu një sërë projektesh që BE-ja ka zbatuar këtu. Ne kemi në fakt një numër të madh projektesh këtu, duke përfshirë projektin e efiçiencës së energjisë, projektin që quhet ‘Reload’, të zhvilluar së bashku me UNDP-në për demokracinë dhe shoqërinë civile. Ne në fakt kemi edhe komunën që është pjesë e grantit të performancës komunale dhe vetëm këtë vit ka marrë më shumë se një milion euro për... projektet lokale, dhe tani do të shohim projektin që është ndërtimi i kopshtit, shpresojmë se do të përfundoi këtë vit, kështu do jetë një tjetër kontribut i BE-së në zhvillimin e komunës”, theksoi Szunyog.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura theksoi ambasadori Szunyog është informuar edhe për zhvillime të përgjithshme të pushtetit lokalë në ketë komunë.

Nura: Ambasadorin e informova për zhvillime të përgjithshme të pushtetit lokal

Diskutuam për çështje të interesit të përbashkët bashkëpunimin që e kemi me fondet e BE-së. Ambasadorin e informova edhe për zhvillime në përgjithësi të pushtetit lokal në Skenderaj dhe angazhimet tona që jemi duke i dhënë për interesin qytetarë, por në fokus të veçantë edhe të projektit që e kemi me BE-në”, ka shtuar Nura.

Nura ka theksuar se çerdhja e konstruktuar për fëmijë nga fondet e BE-së planifikohet të hapet në muajin gusht të këtij viti.

Pas Komunës së Skenderajt, Szunyog ka vazhduar vizitën e tij edhe në Komunën e Drenasit, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci, me të cilin biseduan rreth projekteve që ka zhvilluar kjo komunë dhe ndihmën e BE-së.

Sfidat me furnizim dhe trajtim të ujit në Komunën e Drenasit, ishte tema kryesore në takimin e ambasadorit të Zyrës së BE-së, Szunyog dhe kryetarit të kësaj komune, Lladrovci.

Përpos sfidave, është diskutuar edhe për projektet që janë mbështetur nga fondet e BE-së dhe të njëjtat janë vizituar nga Szunyog.

Szunyog, ka thënë se duhet të shohin se çfarë mund të bëjnë rreth sfidave të trajtimit të ujit në komuna, pasi që sipas tij, mbrojtja e mjedisit dhe e ujit është një nga prioritetet e BE-së.

Szunyog: mbrojtja e mjedisit dhe mbrojtja e ujit është një nga prioritetet e BE-së.

“Diskutuam sfidat dhe zhvillimet e komunës që BE-ja ka investuar në të kaluarën në komunë, ndihmuam me efiçencën energjetike të ndërtesave publike, ndihmuam gjithashtu në qasjen e ndërtesave publike për personat me aftësi të kufizuara. Këtu kemi edhe një projekt të rëndësishëm për sigurimin e cilësisë..., dhe kemi diskutuar edhe përvojën me grantin e performancës komunale të vitit të kaluar me komunën, dhe kështu ne tani do të inspektojmë sheshin kryesor për të parë se si përdoren ato fonde. Ajo që kuptoj nga takimi me kryetarin e komunës është se sfida kryesore për komunën është furnizimi me ujë dhe trajtimi i ujit. Kështu që ne thamë që ata ta kenë parasysh këtë dhe të shohin se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen për të ndihmuar me këtë çështje, e cila nuk është unike për këtë komunë, ka qenë një çështje sfiduese për një numër komunash të tjera. Pra, ne duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë, sepse përsëri, mbrojtja e mjedisit dhe mbrojtja e ujit është një nga prioritetet e BE-së. Ne gjithashtu do të vizitojmë një nga ndërmarrjet e vogla të mesme për të parë se si po përdoren fondet tona këtu”, ka thënë Szunyog.

Ndërsa, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka kërkuar nga ambasadori Szunyog mbështetje edhe për ndërtimin e impianteve të ujërave të zeza, çështje e cila duhet të ishte prioritet për Qeverinë e Kosovës.

Lladrovci: Ne kërkuam mbështetje nga ambasadori për ndërtimin e impianteve të ujërave të zeza

“Ne folëm edhe për projektet që jemi duke zhvilluar me fondet e tyre si rezultat i performancës së mirë, por folëm edhe për sfidat që i ka komuna jonë siç është uji i pijes, ujërat e zeza e tjera. Ne kërkuam mbështetje nga ambasadori edhe për ndërtimin e impianteve të ujërave të zeza që duhet të kalojnë si prioritet i qeverisë për prioritete të komunës se Drenasit”, ka shtuar Lladrovci.

Szunyog së bashku me Lladrovcin, kanë ecur përgjatë sheshit të sapondërtuar në komunën e Drenasit, që është mbështetur nga fondet e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat