KRU-ja bën apel që Badoci të mos përdoret për freskim e peshkim

Kosova

KRU-ja bën apel që Badoci të mos përdoret për freskim e peshkim

Më: 23 qershor 2024 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Kompania Rajonale e Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” ka bërë apel që uji i Badocit të mos përdoret për peshkim e për freskim, pasi ai përdoret për pije.

E në anën tjetër qytetarët po ankohen për fryrje të faturave e për reduktime.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka thënë  se uji i liqenit të Badocit, mund të konsumohet pa problem, pasi uji kalon në disa faza testimi dhe trajtimi para se të shpërndahet te konsumatorët.

“Për këtë janë disa udhëzime nga Ministria e Ambientit. Ne e marrim ujin nga liqeni i Badocit dhe e trajtojmë atë deri tek konsumimi për pije. Nuk është që e ndot liqenin në mënyrë direkte sepse ne e kemi procesin teknologjik që e trajtojmë për të bërë ujë të pijshëm dhe e shpërndajmë te konsumatorët, por në shikim të parë nuk është mirë që uji që konsumohet dhe përdoret për pije, të lahen, të pastrohen apo të hedhin mbeturina dhe as peshkimi, sepse një gjë e tillë nuk është e lejuar në bazë të ligjeve administrive”, ka thënë Mjeku për EO.

Prandaj ajo ka apeluar te qytetarët që të mos përdoret ky liqe për freskim e për peshkim. Por, kërkon edhe nga konsumatorët që mos ta keqpërdorin ujin.

“Konsumatorët e këtij liqeni shpeshherë gjatë verës ballafaqohen me mungesë të ujit, andaj të jeni të vetëdijshëm që ujin që e përdorim për pije të mos e përdorin assesi për destinime të tjera. Ne kemi laboratorin të akredituar fiziko-kimike dhe bakteriologjik brenda ujësjellësit ku mostrat merren paralelisht me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës”, u shpreh Mjeku.

E në anën tjetër, thonë se gjatë stinës së verës po përballen me reduktime të shpeshta. Ankesa kanë edhe sa i përket fryrjes së faturave.

“Nganjëherë ndalet kohë pas kohe, jemi me liqenin e Batllavës dhe mendoj që është uji i mirë. Verës po ka më shumë ndalesa, nga ora pesë e mbrëmjes ndalet nga një orë dy. mbajmë ujë rezervë, ka ra shi ka ujë mjaftushëm, të mos përdoret uji palidhje”, thotë Zahir Sallani.

Kurse Tahir Krasniqi, po ankohet për fryrje të faturave të ujit. Thotë se në muajin e fundit, iu kishte shumëfishuar fatura.

“Më ka ardhë para 20 ditëve 250 euro me pagu ujin, e kam paguar nuk ka dalë me shiku gati gjashtë, shtatë muaj për me marr gjendjen. nga 10-15 euro i kam dhënë gjithë deri me të 20-tin që ma kanë dërgu me pagu 350 euro. Gjithmonë e kam paguar më rregull”, u shpreh Krasniqi.

Tutje, Bajram Spahiu u shpreh se ndalesat janë të rralla dhe nuk ka parë ndodnjë parregullsi.

“Para dhjetë ditëve kam pasur ndalesa për shkak të një prishje. Kemi marr te komshinjtë ujë, nuk po vijnë me marrë asnjëherë gjendjen po e paguaj nga dhjetë euro paushall”, deklaroi Spahiu.

Niveli i ujit në Badoc është mjaftë mirë, vetëm -30 centimetra në kuotën maksimale të kapërderdhës.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) në vitin 2023 kishte njoftuar se uji i liqenit të Badocit nuk mund të përdorej për pije. Pasi që në atë kohë vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës ishin të larta.

Por pas disa muajsh, është njoftuar se uji është brenda standardeve për konsumim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat