AUV s’ka kompetencë intervenimi për insektet në Klinë, thotë se vijnë nga toka e papunuar

Kosova

AUV s’ka kompetencë intervenimi për insektet në Klinë, thotë se vijnë nga toka e papunuar

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 06:31
Kline

Lloji i insektit që është përhapur në masë të madhe në një fshat të komunës së Klinës, vlerësohet se vjen nga toka e papunuar, e që shkakton vetëm dëme ekonomike. Për këtë, nga AUV thonë se nuk e kanë në kompetencë që të intervenojnë.

Shqetësimi i banorëve të fshatit Jashanicë të Klinës, do të vazhdojë për të paktën dy javë të tjera.

Kjo pasi që lloji i insektit të shfaqur ka një cikël javor të jetesës.

“Ky insekt kryesisht lind dhe zhvillohet në toka të papunuara, të cilët nga vezët shndërrohen në larva. Pastaj është insekt që ka një cikël të shkurtë të jetëgjatësisë dhe është insekt migrator që lëviz”, thotë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Parandalimi i shpërndarjes së këtyre insekteve, vlerësohet se do bëhej në faza më të hershme të zhvillimit, e që kjo gjë vështirësohet në fazën ku ata janë aktualisht.

“Mënyra më efikase për luftimin është në faza të hershme, përmes intervenimit mekanik, lëvrimit të tokave, dhe aspekti kimik, është trajtimi me produkte mbrojtëse të bimëve. Në këtë fazë ku janë tash, është problematike dhe trajtimi mund ta ketë efektin parcial, por jo të tërësishëm”, tha Thaçi.

Ky lloj i insekteve, bazuar në të dhënat dhe të gjeturat e inspektorëve të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, nuk është nën kompetencën e këtij institicioni për reagim.

“Nuk është insekt karantinor që bie në domenin e AUV për luftim dhe si i tillë është insekt që shkakton dëme ekonomike, por nuk shkakton sëmundje karantinore. Përderisa qëndron në stadin e kësaj, baza ligjore që e përcakton mandatin e AUV, nuk e parasheh që ne të kemi mundësi intervenimi”, tha ai.

Prezenca e këtyre insekteve ka dëmtuar veçse të mbjellurat e banorëve, për çka komuna e Klinës, ka thënë se do të shohin në vazhdimësi për kapacitetet e saj për kompensim dëmi.

“Në të ardhmen duhet të shikojmë me një komision për dëmet që janë shkaktuar, të bëjmë një vlerësim të dëmeve. Dhe pastaj, të shohim se sa ka kapacitete komuna për t’i mbuluar ato dëme apo shpenzime. Mirëpo shqetësuese është, prandaj duhet me marrë masa për ta dezinfektuar atë pjesë, atë zone”, tha drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Klinë.

Banorët veçse kanë provuar disa mënyra për largim të insekteve, por pa rezultate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat