Organizatat për lirinë e medias letër bordit të RTK-së, denoncojnë përpjekjet për ndërhyrje politike

Kosova

Organizatat për lirinë e medias letër bordit të RTK-së, denoncojnë përpjekjet për ndërhyrje politike

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 15:23
RTK

Organizatat evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias i kanë dërguar një letër kreut të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe anëtarëve të bordi përmes të cilës shprehin shqetësimet për krizën në rritje brenda Transmetuesit Publik dhe lidhur me presionin që po ushtrohet për të larguar Drejtorin e Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Siç thuhet në këtë letër, ish-raportuesja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon, në raportimin e bërë më 15 janar kishte përmendur përpjekjet për zëvendësimin e Ahmetxhekajt me një individ pro-qeveritar.

“Ne ju shkruajmë për t’ju kujtuar se çdo ndërhyrje politike në menaxhimin e transmetuesit publik do të ishte një akt tepër antidemokratik dhe roli juaj si anëtarë të bordit është të rezistoni ndaj të gjithë këtyre presioneve”, thuhet në letër.

Përveç kësaj, në letër theksohet se Ahmetxhekaj është emëruar Drejtor në vitin 2022 përmes një procedure të hapur dhe i njejti ka udhëhequr reformat brenda RTK-së.

“Procesi i emërimit u konsiderua nga Bashkimi Evropian dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë si bazuar në meritë dhe u mirëprit nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja të pranishme në Kosovë”, thekson letra.

Gjithashtu përmendet edhe fakti se përkundër mungesës së një modeli të financimit dhe gjendjes së rëndë të financimit, menaxhimi i Transmetuesit Publik është përmirësuar dukshëm, gjë që potencohet edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit duke thënë se një sukses i tillë është arritur falë punës së përbashkët mes bordit dhe Drejtorit të Përgjithshëm.

“Megjithëse transmetuesi publik RTK nuk ka një model të qëndrueshëm financimi dhe aktualisht është në pikën më të ulët të financimit në një dekadë, menaxhimi i tij financiar është përmirësuar ndjeshëm siç është theksuar në reagimin tuaj të fundit dhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Për më tepër, sipas një sondazhi, transmetuesi publik është aktualisht stacioni i dytë më i besueshëm televiziv në Kosovë. Një sukses i tillë është rezultat i punës së përbashkët të bordit të RTK-së dhe drejtorit të përgjithshëm, duke treguar se transmetuesi i Kosovës po përmbush misionin e tij për t’i shërbyer publikut”, vijon letra.

Organizatat kanë bërë thirrje tek kreu i Bordit të RTK-së që të veprojnë me kujdes, që RTK t’i shërbejë publikut dhe jo interesave politike.

“Ne ju lutemi të konsideroni me kujdes vendimet tuaja të ardhshme dhe të siguroheni që transmetuesi publik të vazhdojë t’i shërbejë publikut dhe jo interesave politike. Liria e medias, në përgjithësi, dhe reformat e vazhdueshme në transmetuesin publik në veçanti, do të dëmtohen dhe minohen seriozisht nëse ndryshimet e motivuara politikisht në menaxhimin e transmetuesit publik janë të suksesshme”, potencohet në letër.

Në fund thuhet se shkarkimi i Drejtorëve nga arsye të motivuara politike ndikojnë edhe për anëtarësimin në KiE, BE dhe pjesëmarrjen e RTK-së në Festivalin e Këngës Eurovision.

“Kjo bëhet akoma më e rëndësishme, duke marrë parasysh aplikimin e Kosovës për t’u bërë vend anëtar i Këshillit të Evropës, organizatë kjo që beson se transmetuesi i pavaur publik është themeli i demokracisë, dhe kontribuon në forcimin e kohezionit social. Ekzistimi i një transmetuesi publik profesional dhe të pavarur është gjithashtu kërkesë në rrugën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së fundi, vendime të tilla janë të rëndësishme edhe në procesin e RTK-së për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision”.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i është bashkuar shqetësimit të organizatave evropiane dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, pjesë e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës, “rreth përpjekjeve për ndërhyrje politike në shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Transmetuesit Publik, RTK”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat