Gjykata Themelore anulon vendimin për projektin në Gërmi

Kosova

Gjykata Themelore anulon vendimin për projektin në Gërmi

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 13:21
Germia

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CLS) bëri të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar padinë që ajo ngriti së bashku me organizatën joqeveritare “Qytetarët Aktivë” dhe ka anuluar vendimin e Komunës së Prishtinës për projektin “Parku i Aventurave”.

“Parku i Aventurave” ishte paraparë të ndërtohej në parkun e mbrojtur të Gërmisë, por me vendimin e fundit, Themelorja ka anuluar vendimin për lejen mjedisore për realizimin e projektit.

Paraprakisht, më 2021 Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që të shtyhej ekzekutimi i vendimit të Komunës së Prishtinës lidhur me këtë projekt, deri në një vendim përfundimtar për këtë rast.

“CLS e vlerëson sukses tejet të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Supreme mbi pezullimin e lejes mjedisore të projektit ‘Parku i Aventurav’ dhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore për anulimin e vendimit për realizimin e këtij projekti. Vendimet e tilla konfirmojnë kundërligjshmërinë e ndjekur nga organet publike, mohimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrjen mjedisore dhe rrezikun për degradimin e natyrës nga projektet të tilla si ‘Parku i Aventurave’”, tha GLS përmes një njoftimi për media.

Themelorja konstatoi se Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore për këtë projekt, përkatësisht është thirrur në një udhëzim administrativ për dhënien e lejeve mjedisore komunale. Por, projekte të tilla, sikurse “Parku i Aventurave”, sipas CLS-së, rregullohen me Ligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

“Gjykata i ka vlerësuar të drejta argumentet se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit ‘Parku i Aventurave’ ka shkelur garancitë kushtetuese të qytetarëve duke ia mohuar të drejtën e pjesëmarrjes në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata jetojnë”, u tha në njoftim.

“Parku i Aventurave” ishte paraparë të përfshinte një sipërfaqe prej rreth 70 ari dhe të shtrihej nga Butovci në drejtim të parkut të Gërmisë. Kur ishte prezantuar si projekt, Komuna e Prishtinës kishte thënë se parku do të ndërtohej duke përdorur metoda speciale që do të shmangnin dëmtimin e drurëve në Gërmi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat