​Këtë fundjavë mbahet festivali më i madh i çiklizmit në Kosovë

Kosova

​Këtë fundjavë mbahet festivali më i madh i çiklizmit në Kosovë

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 08:36
Foto ilustrim

Bike Fest Prizren, festivali më i madh i çiklizmit në Kosovë, do të mbahet këtë fundjavë nga data 21 deri më 23 qershor 2024 në qytetin e bukur dhe historik të Prizrenit.

Sipas njoftimit, ky festival synon të promovojë çiklizmin si një kulturë dhe mënyrë jetese të shëndetshme, të nxisë sportin dhe rekreacionin dhe të ofrojë argëtim për të gjithë pjesëmarrësit.

“Ngjarja do të fillojë me hapjen e festivalit më 23 qershor, e cila do të shoqërohet me një turi simbolik me biçikleta nën moton "Pedalo me pasion, festo me Bikefest" nga sheshi i Dëshmorëve, duke filluar nga ora 12.00, ku ftohen të marrin pjesë të rinjtë, të moshuarit, fëmijët, gratë dhe burrat për të shijuar një tur të këndshëm përreth unazës së qytetit. Në kuadër të festivalit, aktivitetet kryesore përfshijnë: Ligjërata nga profesionistet për shëndetin fizik dhe ushqimin e duhur për sportistet. Konferencë nga kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës për zhvillimet të fundit në fushën e çiklizmit në Kosovë. Gara “XC Pashaqeshme Prizren”: Një garë sfiduese çiklizmi me distancë 18.75 km, mes natyrës dhe trashëgimisë kulturore të Prizrenit. Pjesëmarrësit do të kalojnë përmes peizazheve të bukura dhe rrugëve malore që përfundojnë në sheshin e Dëshmorëve”, thuhet në njofitm.

Gjithashtu, do të mbahet Pumptrack Challenge: Argëtim dhe adrenalinë për të gjithë çiklistët në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” më 22 qershor duke filluar nga ora 19:00.

“Poligoni “EDUBIKE”: Një aktivitet edukativ për fëmijët për përdorimin e sigurt të biçikletave në Galeria Shoping MALL, ku do të mësojnë shenjat e komunikacionit dhe përdorimin e mjeteve mbrojtëse. Show i BMX Freestyle: Aldo Nako dhe Can MTB do të ofrojnë një shfaqje spektakolare me truket e tyre në BMX më 22 qershor në ora 14:15. Spinus Circus Show: Një shfaqje akrobatike dhe magjepsëse me biçikletë nga Spinus Circus më 23 qershor në ora 12:00 në Sheshin e Dëshmorëve. Festivali do të kulmojë me një koncert të grupit Jericho më 23 qershor në ora 21:00. Grupi Jericho, i njohur për përzierjen unike të rock-ut dhe muzikës tradicionale shqiptare, do të sjellë një performancë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit. Regjistrimet për pjesëmarrje në aktivitete janë të hapura deri më 21 qershor dhe mund të bëhen përmes këtij linku: https://forms.gle/gH2BfW1Xae1RdN987 “, thuhet në njoftim.

Bike Fest Prizren 2024 është mbështetur nga Komuna e Prizrenit dhe një sërë sponsorësh të tjerë të cilët kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të fitojnë dhurata të ndryshme dhe të shijojnë aktivitetet në një atmosferë të gjallë dhe festive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat