Temperaturat e larta shtojnë pacientët në QKUK

Kosova

Temperaturat e larta shtojnë pacientët në QKUK

Më: 17 qershor 2024 Në ora: 18:35
Ilustrim

Numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi rritjes së temeperaturave është shtuar.

Brenda klinikës Emergjente në QKUK, ditëve të fundit ka pasur një fluks më të madh të qytetarëve.

Mjeku Avdush Bajgora tregon se cilët janë personat të cilët janë pacientë më të shpeshtë që kërkojnë trajtim.

“Temperaturat e larta ndikojnë të personat me sëmundje kronike, siç janë ato te sistemit kardiovaskular, të mëlçisë, të sistemit nervor. Gjithashtu temperaturat e larta, ndikojnë në paraqitjen e sinkopave dhe goditjeve të diellit”, thotw Avdush Bajgora, mjek në Qendrën Emergjente.

Ai ka një këshillë për të gjitha këto kategori.

“Preferohet të gjithë të sëmurët me sëmundje kronike nga ora 10 të mëngjesit deri në orën 16 të pasdites të mos i ekspozohen diellit dhe të rrinë në ambiente të freskta. Gjithashtu të rrezikuar janë edhe fëmijët e vegjël, që gjithashtu duhet që gjatë kësaj periudhe të jenë, në vende të freskta”, thotë Bajgora.

E këshilla për mbrojtje nga dielli së fundmi ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

“Temperaturat e larta që mbretërojnë në sezonin e verës ndikojnë negativisht në organizmin e njeriut sidomos te të moshuarit. Duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale”, thuhet nga IKSHPK.

Sipas IKSHPK-së e domosdoshme është marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat