Rreth 30 persona janë në pritje për evakuim në fshatin Drejë të Istogut derisa 30 të tjerë tashmë janë evakuar nga ekipet e kërkim shpërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me ekipet e emergjencës dhe zjarrëfikësit në këtë komunë.
Banorët të cilët kishin qëndruar të bllokuar në shtëpitë e tyre gjatë gjithë ditës për shkak të vërshimeve, janë dërguar në spitalin e Istogut për strehim, disa prej tyre tek të afermit, ka thënë Xhevat Demaj, drejtor i Emergjencave në Komunën e Istogut.
Ai ka bërë te ditur për KosovaPress se janë edhe shtatë familje të cilat duhet te evakuohen në këtë fshat.
“32 sa i tërhekëm, jemi duke i dërguar në Istog, kthehen FSK, do të intervenojmë edhe njëherë ka gjasa që të jenë edhe 30 persona”, ka thënë ai.
Derisa për fshatrat e tjera të kësaj komune, Demaj ka thënë se gjendja është stabile.
“Porsa u informova që gjendja nëpër fshatra të tjera që e kemi pas, në ato tetë fshatra, ka rënë niveli i ujit, nuk është dicka më rrezik më shumë, pritet tash tërë natën të shohim shiu çka po ben, ishalla nuk bie shumë, por momentalisht është situata e qetësuar”, ka shtuar ai.
Rreth 14 familje kishin mbetur të bllokuara në Drejë të Istogut gjatë gjithë ditës si pasojë e vërshimeve nga reshjet e mëdha të shiut.
Ndërsa dy të tjera ishin larguar gjatë ditës nga shtëpitë e tyre meqë uji u kishte dëpërtuar brenda.