“Rasti i Faton Hajrizit të mos politizohet, Radoiҫiqi duhet të ekstradohet në Kosovë”

Intervista

“Rasti i Faton Hajrizit të mos politizohet, Radoiҫiqi duhet të ekstradohet në Kosovë”

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 22 korrik 2024 Në ora: 22:32
Akri Çipa

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa në një intervistë për ‘Bota sot’, ka folur rreth çështjeve aktuale në Kosovë. Ai ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht veprimeve të e ndërmjetësuesit Miroslav Lajҫak. Për këtë të fundit ka thënë se, nuk ka asnjë arritje të faktuar dhe zëvendësimi i tij do t’i bënte mirë dialogut. Po ashtu eksperti Çipa ka folur edhe për rastin e fundit, vrasjen e Faton Hajrizit në Serbi dhe nëse do të ndikoj ky rast që Milan Radoiҫiq të ekstradohet në Kosovë.

Po ashtu, ai ka folur edhe për qeverisjen Kurti, si dhe zgjedhjet e ardhshme që brenda pak muajsh do të mbahen në Kosovë.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajҫak po fajësohet se nuk ua ka prezantuar të dyja palëve propozimet e njëra-tjetrës mbi planin e Marrëveshjes bazë. Ҫfarë ndikimi mund të ketë tek dialogu dhe raportet ndërmjet dy vendeve?

Akri Çipa: Në parantezë vlen të thuhet se formati i dialogut, në momentin që po flasim, ka dështuar praktikisht. Z. Lajçak po afrohet te përfundimi i mandatit të tij si i dërguar i posaçëm për dialogun dhe zëvendësimi i tij vetëm mirë mund t’i bëjë procesit. Katër vite pasi u caktua si ndërmjetësues me një mandat një-vjeçar, nuk ka kurrfarë arritje të faktuar. Përkundrazi, sikurse tregon debati aktual për paraqitjen ose jo të propozimeve nga palët dhe transparencën ndërmjet tyre, dialogu është futur në një qorrsokak.

Që të kishte ecuri në një proces të natyrës së dialogut Kosovë-Serbi nevojitet në parim ose angazhimi konstruktiv i palëve, ose një ndërmjetësues proaktiv për të çuar përpara procesin. Në rastin specifik, të dyja këto elemente kanë munguar. Procesi i dialogut tanimë do vazhdojë nën drejtimin e një ndërmjetësuesi të ri dhe, me rëndësi, edhe me një Përfaqësuese të Lartë të re në Bashkimin Europian. Është e rëndësishme që të ketë një proces të rivitalizuar, duke shfrytëzuar mësimet nga gabimet e viteve të fundit. Në të njëjtën kohë, është esenciale që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol më të drejtpërdrejtë dhe, pse jo, imponues në proces, në mënyrë që të japin impulsin e nevojshëm për të kaluar nga hapat e ndërmjetëm te një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve.

“Bota sot”: Rasti i fundit i Faton Hajrizit të vrarë në Serbi, po komentohet si i inicuar nga Presidenti Vuҫiq, për interesa të tij. Sa mund të jenë të vërteta këto pretendime?

Akri Çipa: Rasti në fjalë është mjaft i rëndë për Kosovën, ku arratisja e të ndjerit meriton një hetim të thellë nga institucionet e linjës, për vetë impaktin që ka te shteti ligjor. Nga ana tjetër, është i rëndë për Serbinë, duke marrë parasysh se kemi një viktimë që ka humbur jetën aty. Duke marrë parasysh kompleksitetin e situatës dhe faktin që ka ende mjaft të panjohura, është e rëndësishme që të mos politizohet incidenti, nga të gjitha palët. Kryeministri Kurti e ka nënvizuar më herët një gjë të tillë.

Për pretendimet e ndryshme se si është zhvilluar situata, përgjigja mund të vijë vetëm nga institucionet zyrtare. Në fakt, duhet pasur mjaft kujdes nga keqinformimi dhe dezinformimi që gëlon këto ditë, veçanërisht në mediumet online dhe në rrjetet sociale. Do të ishte e udhës që në rrugëtimin drejt zbardhjes së çështjes në fjalë të kishte dhe shkëmbim informacioni të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë.

“Bota sot”: A mund të ketë ndikim ky rast që krimineli Milan Radoiҫiq të ekstradohet në Kosovë?

Akri Çipa: Nuk ka vend për kurrfarë pranëvënieje të incidentit të fundit të Faton Hajrizit me atë të Milan Radoiçiq. Z. Radoiҫiq ka përsipër akuza jashtëzakonisht të rënda për aktivitetin e tij kriminal dhe terrorist në Kosovë. Ekstradimi i tij duhet të ndodhte pavarësisht dhe përtej çdo lloj situate tjetër dhe konteksti politik ndërmjet dy vendeve. Në radhë të parë për të zbardhur një ngjarje që rrezikonte të destabilizonte jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin. Në të njëjtën kohë, për të neutralizuar përpjekje të ngjashme që mund të bazohen tek aktiviteti i z. Radoiҫiq dhe ndërlidhjeve të tij. Kjo duket se pak mundësi ka të ndodhë, në kushtet kur mungon besimi i ndërsjell ndërmjet dy vendeve dhe, mbi të gjitha, kur Serbia ka ofruar një mburojë politike për z. Radoiҫiq, për arsye që vetëm vendimmarrësit serbë e dine.

“Bota sot”: Sa i përket qeverisjes në Kosovë, si e vlerësoni këtë mandat të Qeverisë Kurti?

Akri Çipa: Në politikën e jashtme, qeveria aktuale i ka pasur mundësitë për të bërë më shumë në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në sendërtimin e marrëdhënieve të reja e të pashfrytëzuara më parë. Kosova gjendet sot në një pozitë më të lëkundur ndërkombëtarisht. Ky fakt është njohur dhe nga vetë qeveria, fjala vjen, në lidhje me masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare që i kanë shkaktuar një kosto në nivel ndërkombëtar Kosovës. Megjithatë, edhe nëse pajtohemi me faktin që Kosovës i është bërë një padrejtësi në këtë rast, çka është e vërtetë, thjesht vënia në dukje e kësaj padrejtësie nuk është politikë dhe aq më pak e suksesshme.

Për vetë pritshmëritë që kishte qeveria në fillim të mandatit të saj në rrafshin e objektivave të politikës së jashtme, ka vend për reflektim dhe deri diku edhe për hidhnim. Situata ndërkombëtare ka pasur zhvillime që e tejkalojnë vetë Kosovën dhe ndryshim parametrash të cilat Kosova nuk mund kurrsesi t’i kontrollojë dot. Thënë kjo, politika e jashtme e Kosovës ka qenë pasive dhe reaktive përballë këtyre situatave, nuk e ka marrë vetë iniciativën ose e ka bërë këtë në mënyrë taktike, por jo strategjike.

Kjo reflektohet qartësisht dhe në stadin aktual të dialogut me Serbinë. Nëse qeveria aktuale ia doli të adresonte në gjysmën e parë të mandatit të saj një asimetri tejet problematike që ishte krijuar ndërmjet dy palëve në dialog, nuk ia doli të paraqiste një model imponues për ecurinë e mëtejshme të procesit, ose më së paku tërheqës për aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Bota sot”: Zgjedhjet e reja në Kosovë ligjërisht na ndajnë edhe pak muaj. A mendoni se qytetarët e Kosovës do të bëjnë ndryshime në qeverisje?

Akri Çipa: Në proceset elektorale është e vështirë të bëhen llogari brenda muajit, e aq më pak kur ka ende një kohë të konsiderueshme deri në zgjedhjet e ardhshme. Ajo çfarë do të bëjnë votuesit në momentin e duhur do të jetë konstatimi nëse qeveria aktuale do të arrijë të ofrojë një raison d’etre për një mandat vijues në drejtim të vendit ose nëse opozita do të arrijë të ofrojë një model bindës qeverisës që ka potencialin për të ndryshuar cilësisht jetën e qytetarëve të Kosovës. Hapësira kohore deri në procesin elektoral është e mjaftë për t’u dhënë mundësinë këtyre aktorëve politikë që të ndryshojë shumëçka në këtë ekuacion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat