“Shenjë e mirë”/ Ish-zyrtari i Clintonit dhe Obamës jep një propozim se si të veprojë Kurti me tri kushtet për Vuçiqin

Intervista

“Shenjë e mirë”/ Ish-zyrtari i Clintonit dhe Obamës jep një propozim se si të veprojë Kurti me tri kushtet për Vuçiqin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 2 korrik 2024 Në ora: 08:16
Charles Kupchan

Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Charles Kupchan, ka thënë se njohja e Kosovës duhet të jetë parakusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, profesori në Universitetin Georgetoën, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gaboi që refuzoi të takohej me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me 26 qershor në Bruksel.

Megjithatë, sipas ekspertit amerikan, që shërbeu në kohën e sekretares amerikane Hillary Clinton dhe presidentit Barack Obama, Kurti ka të drejtë sa i përket kushteve të vendosura nga palës serbe. Ai ka theksuar se të njëjtat, kreu i Qeverisë së Kosovës, duhet t’i paraqes në tryezën e dialogut.

Kupchan, ka komentuar edhe rekomandimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, për heqjen e masave të Kosovës, të cilin e ka quajtur “shenjë të mirë”.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e keni parë refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për takimin e 26 qershorit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe vendosjen e tre kushteve?

Charles Kupchan: Mendoj se ishte gabim që kryeministri Kurti refuzoi të takohej me presidentin Vuçiq. Mosmarrëveshjet e vështira zgjidhen përmes diplomacisë dhe dialogut, jo me ultimatume dhe refuzime për të folur ballë për ballë. Për më tepër, Kurti përfundon si partia intransigjente që nuk është e gatshme të angazhohet në diplomaci konstruktive, një qëndrim që minon dhe nuk forcon ndikimin dhe imazhin e Prishtinës.

Sa i përket tre kushteve, sigurisht që Kurti ka të drejtë që Milan Radoiçiq duhet të sillet para drejtësisë dhe se letra e rezervimit është e papërshtatshme dhe e padobishme. Por, ai duhet t'i shtyjë ato çështje në tryezën e bisedimeve, jo të vendosë parakushte për negociata. Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve të BE-së, Kosova duhet të ecë përpara me zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Bota sot”: Lajçak paralajmëroi se hapja e pakoordinuar e urës së Ibrit mund të çojë në incidente dhe të komplikojë edhe më shumë situatën e dialogut. Sipas jush, a duhet të hapet ura e Ibrit apo të diskutohet në dialog, siç kërkon emisarja speciale e BE-së?

Charles Kupchan: Duke pasur parasysh tensionet e vazhdueshme në veri, hapja e urës së Ibrit duhet të arrihet përmes konsultimit mes të gjitha palëve relevante. Në këtë fazë delikate të procesit të normalizimit, lëvizjet e njëanshme sjellin rreziqe të panevojshme dhe kanë potencialin për të provokuar më tej tensionet ndërkomunale.

“Bota sot”: Si e keni parë vendimin e kryediplomatit të BE-së Josep Borrell, i cili rekomandoi heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës?

Charles Kupchan: Rekomandimi i Borrelit për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është një shenjë e mirë. Ai sinjalizon vlerësimin e tij për progresin dhe interesin e tij për të siguruar bashkëpunim të mëtejshëm nga Prishtina.

“Bota sot”: Emri i Kaja Kallsa, kryeministres së Estonisë, po përmendet si zëvendësim për kreun e ri të diplomacisë së BE-së. Ajo është quajtur shpesh “Zonja e re e Hekurt e Evropës”, ​​dhe meqenëse ajo ka theksuar vazhdimisht se i jep mbështetje të plotë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, si mendoni se zgjedhja e saj do të ndikojë në dialogun Beograd-Prishtinë?

Charles Kupchan: Ekipi drejtues në largim i BE-së, së bashku me homologët e tij në Uashington, i ka vënë prioritet avancimit të dialogut Beograd-Prishtinë. Pres që ekipi i ri, pavarësisht nëse është apo jo Kallas krerja e re e diplomacisë së BE-së, të vazhdojë të bëjë presion.

“Bota sot”: Cili mendoni se është qëllimi përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi? Ndërsa në Kosovë, ambasadori Hovenier thotë se qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja reciproke, në Serbi, ambasadori Hill thotë se njohja nuk është kusht i BE-së si pjesë e këtij procesi.

Charles Kupchan: Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja reciproke dhe pranimi eventual i Serbisë i Kosovës si shtet i pavarur. Ky qëllim vjen në fund të procesit që renditet. Plani aktual i BE-së kërkon normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, por ky është një hap në rrugën drejt njohjes përfundimtare. Pres që njohja e Kosovës nga Serbia të jetë parakusht për anëtarësimin eventual të Serbisë në BE.

“Bota sot”: Ka pasur zëra se me një rikthim të mundshëm të Donald Trump në krye të SHBA-ve, do të kthehet më fuqishëm ideja e – shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Besoni se do të ndodhë një gjë e tillë? Cilat janë rreziqet nëse kjo marrëveshje u detyrohet dy vendeve?

Charles Kupchan: Edhe nëse Donald Trump zgjidhet në nëntor, unë pres që të ketë një konsensus brenda komunitetit transatlantik kundër një shkëmbimi territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, nuk mund të parashikoj që ky opsion do t'u detyrohet dy vendeve. Megjithatë, nëse Kosova dhe Serbia bien dakord vullnetarisht dhe reciprokisht se një shkëmbim territoresh është një opsion i pranueshëm për sigurimin e normalizimit dhe njohjes reciproke, atëherë nuk pres që bashkësia ndërkombëtare të pengojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat