“BIA serbe organizatë kriminale”, flet politikani serb që u rrah për shkak të Adem Jasharit: Kjo është biseda që dëgjoi për Kosovën

Intervista

“BIA serbe organizatë kriminale”, flet politikani serb që u rrah për shkak të Adem Jasharit: Kjo është biseda që dëgjoi për Kosovën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 qershor 2024 Në ora: 10:01
Politikani serb, Nikola Sandulovic

Politikani serb, Nikola Sandulovic thotë se Kosova duhet të llogarisë në të gjitha hapat dhe lëvizjet e mundshme të pakontrolluara dhe të paarsyeshme të Aleksandër Vuçiqit dhe tubimin e mbajtur në Beograd i njohur si “kuvendi gjithëserb”.

Sandulovic i cili në janar të këtij viti është rrahur brutalisht në ambientet e BIA-s serbe për shkak të vizitës së tij në kompleksin “Adem Jashari” në Kosovë, me ç’rast kishte vendosur edhe një kurorë lule te monumenti, deklaron se është shëruar fizikisht, por mendërisht është larg rikuperimit.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Sandulovic shprehet se autorët e sulmit ndaj tij nuk janë arrestuar, madje sipas tij, as nuk u morën në pyetje.

Politikani serb në intervistë flet edhe rreth bisedës që dëgjoi gjatë rrahjes për “luftë në Kosovë”, rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe, rezolutës për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë si dhe për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Intervista e plotë

Bota sot: Z. Sandulovic janë bërë disa muaj që nga dita kur jeni rrahur në ambientet e Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), fillimisht na tregoni si është gjendja juaj shëndetësore, por edhe psikologjike. Pastaj, ndalemi te hapat që janë ndërmarrë për rastin tuaj, a është arrestuar dikush për dhunën ndaj jush?

Nikola Sandulovic: Faleminderit për interesimin dhe pyetjen tuaj për shëndetin tim. Falë ndihmës që kam marrë nga e gjithë bota dhe angazhimit të mjekëve specialistë, së bashku me ushtrimet e përditshme dhe trajtimin mjekësor, ndihem shumë më mirë. Rimëkëmbja fizike tashmë është e dukshme, por mendërisht jam ende larg rikuperimit. Ëndërroj ditën kur me ardhjen time në pushtet do t'i nxjerr para drejtësisë dhe do t'i gjykoj plotësisht mendërisht, as nuk e kam harruar atë që më kanë bërë.

Bota sot: A janë ndërmarrë hapa për rastin tuaj nga organet e drejtësisë në Serbi, a është arrestuar dikush për dhunën ndaj jush?

Nikola Sandulovic: Asnjë nga kriminelët, vrasësit dhe terroristët që morën pjesë në kidnapimin tim, torturat dhe poshtërimet me orë të tëra, tentativa për vrasje dhe burgosje nuk u morën në pyetje dhe as u arrestuan.

Bota sot: E gjitha ngjarja sipas raportimeve kishte filluar pas postimit në rrjetin social "X" një video nga vizita juaj në kompleksin "Adem Jashari" në Kosovë, ku keni vendosur një kurorë me lule te monumenti, ku në vitin 1998 u vranë 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, njërit prej themeluesve të UÇK-së. A merrni kërcënime për veprimin tuaj dhe sa keni siguri në Serbi për shkak të këtij veprimi?

Nikola Sandulovic: Kërcënimet janë të përditshme dhe shumë specifike, jo vetëm që më kërcënojnë me vrasje, por edhe gruan time dhe vajzën time me përdhunim dhe vrasje.

Bota sot: Keni deklaruar se pas aktit brutal të dhunës ndaj jush, fshihet Rakić, por keni përmendur edhe emrat e Radoiçiqit, Veseloviçit dhe Zeneloviç, të gjithë këta persona janë në liri, madje emrat e tyre përmenden edhe për destablizimin e veriut të Kosovës, përmendim këtu sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Kush do të duhej të merrej me këta persona pasi këta mbrohen nga vetë Serbia, a do të duhej që vendet ndërkombëtare të marrin hapa ndaj tyre?

Nikola Sandulovic: Me këta kriminelë, vrasës dhe terroristë duhet të merret INTERPOL-i dhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë që luftojnë krimin e organizuar dhe terrorizmin. Është e qartë se ata janë krahu i zgjatur i pushtetit diktatorial serb dhe se nuk do të mbajnë përgjegjësi në Serbi për çfarëdo dhe kujtdo që të bëjnë keq, prandaj besoj se tani është në dorë të BE-së, SHBA-së dhe Britania e Madhe t'i sjellë ata kriminelë para drejtësisë dhe t'i parandalojë ata nga krimet e tyre të reja të mundshme.

Bota sot: Gjatë rrahjes keni dëgjuar se është përmendur edhe një luftë e mundshme në Kosovë. Ne shohim raste që Serbia po blen armatim, po stërvis ushtarë madje afër kufirit me Kosovën. Cili është komenti juaj për këto?

Nikola Sandulovic: Është e vërtetë që gjatë torturave dhe rrahjeve të mia shumë orëshe, ata kriminelë në ambientet e BIA-s thanë se kur të fillojë lufta në Kosovë, fillimisht do të përdhunojnë gruan dhe vajzën time dhe do t'i dërgojnë bashkë me mua në vijën e parë të konflikti të vritet nga “transportuesit”. Çdo njeri normal dhe politikan përgjegjës e di se lufta sjell vetëm vdekje, urrejtje dhe shkatërrim. Kjo është arsyeja pse lufta ime politike dhe njerëzore është bërë misioni im i jetës për të bërë gjithçka që është e mundur që kjo të mos ndodhë më kurrë. Lufta sjell fatkeqësi për të gjithë dhe të gjithë ata që janë të vetëdijshëm duhet ta parandalojnë atë me çdo kusht.

Bota sot: Deklarata kërcënuese nuk mungojnë as nga sfera politike serbe. “Bota serbe”, është synimi i tyre, madje sipas raportimeve tashmë po merren edhe hapa drejt saj, i referohemi këtu “kuvendit gjithëserb” i mbajtur në Beograd. Çfarë mund të pret Kosova ndaj këtyre deklaratave dhe pse Serbia vazhdon me këtë qasje?

Nikola Sandulovic: Kosova duhet të llogarisë në të gjitha hapat dhe lëvizjet e mundshme të pakontrolluara dhe të paarsyeshme të Aleksandër Vuçiqit që do të pasojnë për shkak të atij grumbullimi, sepse vetëm ai dhe Milorad Dodik e dinë prapavijën e tij, dhe sigurisht shefi i tyre i vërtetë Putin, që qëndron pas tij mendoj se shumë do të ndodhin pas zgjedhjeve në SHBA dhe do të kushtëzohen dhe lidhen me zhvillimin e mëtejshëm të konfliktit mes NATO-s dhe Rusisë. Mendoj se PARLAMENTI ALLËSERB tregoi shumë dhe cilat janë qëllimet përfundimtare të Aleksandër Vuçiqit dhe Milorad Dodikut në Gazimestan me regji të kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq. Kosova nuk duhet të jetë veçanërisht e alarmuar në këtë çështje, por sigurisht që mendoj se ky takim është një rrezik më i madh për sovranitetin dhe mbijetesën e BH-së aktuale. Sido që të jetë, unë jam kundërshtar i një tubimi të tillë me mesazhe të qarta nacionaliste që sigurisht nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në Rajon.

Bota sot: Gjersa, jemi deklarata destabilizuese, javë më parë në Kosovë janë arrestuar dy qytetarë për raportim ndaj BIA-s serbe. Sa ka arritur BIA serbe të instalojë spiunët e saj në Kosovë dhe a mund të ketë lidhje rasti i Banjskës me këta spiunë?

Nikola Sandulovic: Kur flasim për BIA-në serbe, nuk mund ta komentoj si një shtyllë të sigurisë së një vendi, që do të justifikohej për çdo agjenci të tillë sigurie kudo në botë, por nga përvoja ime personale dhe me veprimet e tyre të përditshme në Serbi dhe jashtë vendit, mund ta komentoj dhe ta perceptoj si një organizatë kriminale që punon ekskluzivisht në interes dhe mbrojtje të regjimit në pushtet dhe diktatorit aktual serb. Me përvojën time prej tyre, nuk mund të parashikoj dhe komentoj veprimet dhe synimet e tyre, sepse ata nuk veprojnë si një shërbim i sigurisë kombëtare, por si një organizatë e organizuar kriminale.

Bota sot: Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështja që ‘përplas’ Kosovën dhe Serbinë, por edhe Kosovën dhe ndërkombëtarët. Një version i Republikës serbe në Kosovë përjashtohet nga pala e Kosovës. Si e shikoni ju këtë marrëveshje dhe cila do të ishte zgjidhja.

Nikola Sandulovic: Në bisedën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pashë se ai ka dëshirë ta zgjidhë çështjen, por në përputhje me të drejtat e barabarta të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila për mua është një zgjidhje krejtësisht konkrete dhe korrekte për të gjithë, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët. Besoj se në zgjidhjen e kundërt, me njohjen e komunitetit të komunave serbe jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Kushtetutës së saj, ku të drejtat e serbëve dhe të gjitha pakicave janë të përcaktuara qartë, do të ishte vetëm një situatë tjetër e pazgjidhur që do të përshkallëzohej mbi vite në të njëjtin problem që tani quhet Republika Srpska. Së pari, Serbia dhe Kosova duhet të përcaktojnë publikisht të gjitha marrëveshjet që kanë pasur me shkrim dhe gojarisht, të zgjidhin statusin e Kosovës si shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe vetëm atëherë, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të përcaktojnë formimin e komuniteteve të komunave serbe në Kosovë. Përndryshe, çfarë do të ndodhte nëse popullata shumicë e shqiptarëve që jetojnë në Serbi në komunat të cilave u përket Bujanoci, Medvegja dhe Presheva do të kërkonin formimin e një bashkësie të komunave shqiptare në Serbi, ku shumica e banorëve janë shqiptarë? Tani imagjinoni nëse myslimanët në Serbi, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në Sanxhak, apo hungarezët në Vojvodinë, kërkojnë të njëjtën gjë? Ku do të na çonte e gjithë kjo? Në cilin vend të Evropës keni një komunitet të pavarur të një popullsie pakicë që kërkon të drejta, veçori dhe pavarësi të veçanta brenda një shteti? Aleksandar Vuçiq me vetëdije nuk e zgjidh këtë çështje dhe me këtë çështje po e pengon zgjidhjen dhe pajtimin mes popullit serb dhe atij shqiptar.

Bota sot: Serbia vazhdon duke penguar Kosovën në fusha të ndryshme dhe mos futja në agjendë të Këshillit të Evropës për anëtarësim në KIE ishte hap i fundit, madje ndërkombëtarët kërkojnë formimin e asociacionit në këmbim të anëtarësimit. Si i keni parë këto zhvillime dhe a po ‘përkëdhelet’ Vuçiqi nga ndërkombëtarët?

Nikola Sandulovic: Gjatë viteve të qeverisjes së tij, Aleksandar Vuçiq gjeti "inde të buta" në BE dhe SHBA që tolerojnë shpërthimet e tij falë marrëdhënieve shumë të diskutueshme personale dhe fitimprurëse me të. Kjo “përkëdhelje” është e ndërthurur për shkak të shumë përfitimeve personale dhe situatës aktuale në Ukrainë, në të cilën Serbia nuk ka ndonjë rol të parëndësishëm dhe të vogël në armatimin e saj. Nëse kësaj i shtojmë edhe interesat e shtyra nga RIO TINTO dhe përfitimet personale kolektive të individëve nga BE-ja nga investimi i madh EXPO në Serbi, atëherë heshtja e tyre për mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, diktaturën në Serbi, pushtimin terrorist të Banjskës dhe persekutimi i politikanëve properëndimorë në Serbi është plotësisht i qartë.

Bota sot: Muaj më parë është votuar rezoluta e Srebrenicës. Cili shtet do të mund të merrte përsipër ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë dhe a do të kishte pasoja një hap i tillë.

Nikola Sandulovic: Unë jam absolutisht i mendimit se një tjetër dënim dhe njohje nga OKB-ja se Serbia kreu një gjenocid tjetër në Kosovë do të ishte katastrofik për të dhe një mesazh krejtësisht i kthjellët për popullin serb për atë lloj qeverisjeje që kishte atëherë dhe të njëjtin lloj qeverisjeje, ende e ka tani.

Jam i sigurt se Kosova me mbështetjen e Gjermanisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe do të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid krimet që u kanë ndodhur civilëve të pafajshëm shqiptarë. Politika e gabuar gjithmonë ka pasur dhe do të ketë pasojat e saj, për fat të keq, Serbia do ta kuptojë këtë në mënyrë të vështirë dhe me vonesë të madhe. Jam i sigurt se një proces i tillë nuk do të kishte ndodhur kurrë po të kisha qenë në pushtet në Serbi dhe të kisha kërkuar falje dhe keqardhje të sinqertë për krimet e kryera në Kosovë gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit. Populli shqiptar do ta njihte, do ta kuptonte dhe do ta falte këtë në emër të së ardhmes së fëmijëve tanë dhe paqes që të gjithë kemi nevojë. Unë jam i sigurt për këtë dhe e kam parë vetë! Populli shqiptar është një popull me zemër të madhe.

Bota sot: Çfarë hapa duhet ndjekur shteti i Serbisë që të normalizoj marrëdhëniet me Kosovën dhe të gjendet një rrugë që u sjell dy popujve paqe të përhershme dhe zhvillim?

Nikola Sandulovic: Për të normalizuar dhe relaksuar marrëdhëniet, Serbia duhet së pari të pranojë gabimet e saj politike dhe njerëzore, ajo duhet të përballet me faktin se ka bërë luftëra pushtuese në territorin e ish-Jugosllavisë dhe se individë kanë kryer krime të tmerrshme dhe të paprecedentë në emër të saj në 21. Një nga ato pasoja katastrofike është Kosova, e cila bëri një hap drejt shkëputjes me forcën e padrejtësisë dhe krimit. Serbia duhet të ulet në tryezë me Kosovën dhe me synime të sinqerta të arrijë pajtimin dhe paqen e qëndrueshme mes popullit serb dhe atij shqiptar. Serbia është ajo që duhet të jetë e para që do të ndërmarrë një hap kaq njerëzor, politik dhe të qytetëruar për t'i dhënë një shans paqes dhe të ardhmes së përbashkët për fëmijët tanë, me qeverinë aktuale serbe të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq. Me ardhjen time në pushtet dhe Partinë Republikane pretendoj se do të ndodhë brenda një dite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat