Publicisti thotë se nuk do të ketë Asociacion/ Zbardh “planin” e Vuçiqit ndaj Kosovës – përmend edhe Ramën!

Intervista

Publicisti thotë se nuk do të ketë Asociacion/ Zbardh “planin” e Vuçiqit ndaj Kosovës – përmend edhe Ramën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 qershor 2024 Në ora: 09:54
Emin Azemi

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur publicisti Emin Azemi.

Ai ka prekur zhvillimet e fundit në vend, duke filluar nga situata aktuale politike e deri tek epilogu që mund të ketë dialogu Kosovë – Serbi.

Azemi u shpreh që Vuçiqi pasi mori edhe një mandat qeverisës do të vazhdoj të merret me Kosovën siç ka bërë deri më tani dhe se raporti i Kosovës me aleatët ndërkombëtar duhet të jetë më i afërt se kurrë.

I pyetur për Asociacionin, Azemi flet me skepticizëm për një themelim të mundshëm të tij, pasi jemi në prag të zgjedhjeve.

E kur jemi tek zgjedhjet publicisti thotë që një koalicion mes LVV-së me një parti tjetër politike do të ishte i duhuri për të kapërcyer sfidat e radhës për vendin.

Publicisti Azemi shton që Rama nuk ka qenë asnjëherë përkrahës i Rugovës dhe pjesëmarrja e tij në konferencën e LDK-së kushtuar presidentit Rugova ishte vetëm të ‘godiste’ Kurtin dhe të bashkohej me ata që janë kundër tij.

Nuk pres që shpejt do të ketë marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ndër të tjera Azemi.

Image
Emin Azemi

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Vendi ka qenë me zhvillime të rëndësishme, duke filluar nga procesi për anëtarësim në KiE e deri tek trysnia për Asociacion. Si e keni parë ju këtë situatë?

Emin Azemi: Të gjitha këto zhvillime që i përmendët kanë qenë në kufijtë e ruajtjes së stabilitetit nga kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe konsolidimit të brendshëm institucional. Trysnia për Asociacionin më duket jo parimore, sidomos kur kjo çështje kushtëzohet me anëtarësim në KiE. Kosova ka bërë hapa të lakmueshëm në fusha të caktuara dhe është e padrejtë që të gjithë këto arritje të bien nën hijen e një çështje, siç është Asociacioni, e cila sa është e imponuar, po aq është edhe e pa integruar në korpusin e temave që kanë të bëjnë me demokracinë, zhvillimin ekonomik e social, reformat në drejtësi, zbutja e papunësisë, frenimi i shpopullimit etj.

Gazeta “Bota sot”: Sa afër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare është Kosova duke parë propagandën e ‘egër’ të Serbisë?

Emin Azemi: Tani me marrjen edhe të një mandate, si qendror, ashtu edhe lokal, Vuçiqi është shumë i interesuar që Kosovën ta trajtojë si problem të brendshëm të Serbisë, prandaj këtu buron edhe politika e tij agresive kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për aleatë dhe duhet të bëj ç ‘mos që mos i humb ata. Kjo është rruga e vetme që asaj i siguron anëtarësim në organizata  ndërkombëtare. 

Gazeta “Bota sot”: Një draft – statut për Asociacion është në përgatitje e sipër. Sa i pranueshëm do të jetë ky draft nga ndërkombëtarët?

Emin Azemi: Pa pasur qasje në këtë draft, asgjë nuk mund të themi. Por, nga përvoja mund të supozojmë se ndërkombëtarët do të shfaqin sërish rezervat e tyre, për arsye se ende ekziston një dallim i madh në qasje ndaj Asociacionit. Personalisht mendoj se nuk do të bëhet Asociacioni, sidomos tani kur po i afrohemi vitit zgjedhor, ku të gjitha palët kalkulojnë që të përfitojnë sa më shumë pikë populliste në elektoratin e tyre. Asociacioni sërish do të jetë një prej atyre pikëve, për të mire dhe për të keq.

Gazeta “Bota sot”: Zgjedhjet e radhës janë afër të ndodhin. A do të kemi një përmbysje të rezultateve duke parë ‘entuziazmin’ e opozitës për fitore?

Emin Azemi: Vështirë është të parashikohen gjërat, por disa zhvillime që i kemi pa kohët e fundit, mund të presim jo përmbysje, por koalicionime të reja, rigrupime me afinitete të larmishme politike. Të shohim kush do t’i bashkëngjitet LVV, apo kjo e fundit sërish do të garojë e vetme. E mira do të ishte që LVV në zgjedhjet e ardhshme të shkojë bashkë me ndonjë parti tjetër politike, si përgjigje ndaj sfidave që e presin Kosovën në të ardhmen, ku përballja ndaj tyre mund të bëhet më lehtë nëse përgjegjësia politike shpërndahet dhe bëhet një koncentrim më i madh i faktorëve që do të marrin vendime të guximshme.

Gazeta “Bota sot”: Në konferencën LDK-së, “Rugova dhe Perëndimi”, pjesëmarrës ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ku u komentua mjaftë shumë mostakimi me Kurtin. Si e komentoni raportin që dy liderët kanë?

Emin Azemi: Mendoj se më problematike ishte qasja e Ramës në Konferencën në fjalë, se sa mos takimi me Kurtin. Kryeministri i Shqipërisë nuk po arrin ta tejkalojë vetveten dhe po vazhdon me stilin e tij prej një lideri ballkanik, inatçor, klanor e tendencioz. Ardhjet e tij në Kosovë, ai gjithmonë i kalkulon për të goditur dikë, apo për të përkrahur dikë blanko. Është e çuditshme kjo trajektore e transformimit të Ramës, nga një njeri që s’kishte kokërr respekti për Rugovën, të del tani një tifoz i flaktë i tij. Por sërish Albin Kurti është në pyetje. Rama është shumë i interesuar të mbaj anën e tyre që janë kundër Kurtit dhe këtë nuk e bën vet,  e bën me një shpurë gazetarësh të cilët që moti e kanë braktisur misionin  e shenjtë të këtij profesioni.  

Gazeta “Bota sot”: Dialogu Kosovë – Serbi po vazhdon të jetë në vëmendje të vazhdueshme, a mendoni që shpejt do të kemi marrëveshje përfundimtare dhe sipas jush si duhet të duket ajo?

Emin Azemi:  Të presim kush do të vjen në krye të institucioneve vendimmarrëse evropiane. Të shohim kush do ta pasojë Borrelin, çfarë profili do të jetë ai, çfarë qëndrimi do të ketë ndaj Kosovës, por edhe si do të jetë raporti i forcave në institucionet e BE-së, me çfarë dioptrie do t’i qasen Kosovës. Nga bilanci i zgjedhjeve evropiane, rezultoi që partitë konservatore dhe të ekstremit të majtë dominojnë, prandaj është e pritshme që në periudhën e ardhshme të kemi një proces më të ngadalësuar të përafrimit dhe integrimit në BE. Për rrjedhojë, pres që problem i Kosovës të shikohet më tepër si problem i brendshëm rajonal, i Ballkanit Perëndimor, se sa evropian. Por, gjithsesi, një faktor shtesë është edhe lufta në Ukrainë dhe zhvillimet që do të pasojnë atje, për arsye se Evropa pret nga Putini provokime edhe më të mëdha në kufijt e saj. Nuk jam i sigurt se dikush në këto rrethana gjeopolitike do t’i përkushtohet Kosovës, ndonëse gabimet me Kosovën janë bërë në të kaluarën, kur qasja ndaj problemit ishte joadekuate dhe Brukseli raportet Kosovë-Serbi i shikonte njëanshëm, duke i bërë presion vetëm Kosovës, por jo edhe Serbisë. Tani është vonë dhe nuk besoj që Evropa do të ketë kohë të mjaftueshme të korrigjoj gabimet e së kaluarës. Pra, nuk pres që shpejt do të ketë marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.    

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat