Ibrahimi: Stabiliteti, i rëndësishëm për zhvillimin e biznesit në Kosovë

Intervista

Ibrahimi: Stabiliteti, i rëndësishëm për zhvillimin e biznesit në Kosovë

Më: 10 qershor 2024 Në ora: 21:36
Ilir Ibrahimi

Një delegacion i Klubit të Biznesit të Kosovës ndodhet në Shtetet e Bashkuara për vizitë pune. Në një intevistë për Zërin e Amerikës drejtori menaxhues i tij, Ilir Ibrahimi foli mbi klimën e biznesit në Kosovë dhe ndikimin e zhvillimeve politike tek ekonomia e vendit. Ai tha se biznesi ka nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri dhe se mungesa e këtyre dy parakushteve ka efekte negative.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni disa hollësi lidhur me vizitën. Cili është qëllimi i saj?

Ilir Ibrahimi: Ne si klub i biznesit jemi themeluar prej më pak se një viti dhe një nga qëllimet tona është të lidhim ura bashkëpunimi me kompani jashtë Kosovës dhe të gjejmë mundësi të partneritetit me këto kompani potenciale që të bëjmë projekte të përbashkëta, në Kosovë pike së pari, por edhe në vende të tjera të rajonit. Gjatë kësaj vizite kemi shumë takime të ndryshme, së pari këtu në Uashington me institucionet amerikane, të qeverisë amerikane të cilat merren kryesisht me çështjet ekonomike dhe komerciale, pastaj do të kemi edhe takime në shtete të tjera të Shteteve të Bashkuara, si në Nju Jork dhe të tjera ku ka kompani të suksesshme të diasporës shqiptare dhe do të shohim mundësitë se si do të mund të krijojmë një lloj lidhje me këto kompani për të siguruar që të kemi një përmirësim të investimeve të jashtme në Kosovë dhe kjo mund të bëhet më së miri duke krijuar këto partneritete me kompanitë aktuale të Kosovës, të cilat i kemi.

Zëri i Amerikës: Siç u përmend dhe nga njoftimi i mëparshëm, por edhe është folur vazhdimisht këto muaj lidhur me lëkundjen e marrëdhënieve të qeverisë së Kosovës me partnerët perëndimorë. Shumë analistë po e përshkruajnë gjendjen ku është marrëdhënia mes qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara si në pikën më të ulët. Si ndikon një gjë e tillë tek fryma e biznesit, tek bërja e biznesit në Kosovë?

Ilir Ibrahimi: Biznesi pikë së pari ka nevojë për një lloj stabiliteti edhe për parashikueshmëri. Nëse këto dy parakushte nuk ekzistojnë atëherë ka efekte negative edhe tek biznesi. Këtë lëkundje të marrëdhënieve me aleatët nuk po e thonë analistët, këtë po e thonë edhe zyrtarët. Ne dëgjuam se ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Jeff Hovenier para disa ditësh këtu dhe kishte shqetësimet e veta rreth këtyre marrëdhënieve, por ne duhet t’i tejkalojmë këto. Pra sektori privat pikë së pari, dhe ky është edhe mesazhi të cilin dëshirojmë ta lëmë këtu gjatë këtyre ditëve në Uashington, që sektori privat do ta luajë rolin e vet për të krijuar këto ura të bashkëpunimit sepse në fund të fundit aleanca me Shtetet e Bashkuara është e patjetërsueshme, do të thotë, nuk mund të zëvendësohet me asnjë aleancë tjetër dhe gjithësecili nga ne duhet të japë kontributin e vet për të forcuar sa më tepër këto aleanca të cilat i kemi apo partneritete. Ne e shohim një përkushtim të madh të qeverisë amerikane për të ndihmuar Kosovën në gjetjen e rrugës së vet drejt prosperitetit ekonomik. Për shembull kemi shumë projekte të ndryshme të cilat janë duke u zhvilluar për momentin në Kosovë dhe aty ne jemi partnerë me disa nga këto projekte. E kemi një mesazh të vazhdueshëm nga qeveria amerikane dhe këtë e kemi parë edhe gjatë takimeve që kemi pasur sot, për të ofruar partneritetin e nevojshëm për ta rritur ekonominë e Kosovës sepse jemi në një periudhë shumë delikate të ndryshimeve të mëdha të gjeopolitikës pikë së pari dhe Kosova duhet të dijë të renditet aty ku e ka vendin, pra me vendet perëndimore, pikë së pari me Shtetet e Bashkuara dhe me to bashkë të arrijë prosperitetin e vet. Prandaj nuk ka dyshime se ku duhet të jetë aleanca jonë. Këto marrëdhëniet e ftohura që i kemi, që po i shohim, që po përmenden edhe nga zyrtarët janë të momentit. Besoj që populli i Kosovës është i përcaktuar qartë se ku e ka drejtimin e vet dhe unë nuk dyshoj që do të arrijmë prapë t’i plotësojmë dhe të vijmë prapë në realitet se ku duhet të jenë këto marrëdhënie.

Zëri i Amerikës: Duke mbetur pikërisht tek këto marrëdhënie, por më shumë me Bashkimin Evropian. BE-ja i vendosi masa kufizuese dhe gjatë javës mund të pritet një raport i Shefit të Politikës së Jashtme të bllokut për mundësinë e heqjes së tyre. Si janë pasqyruar efektet e këtyre masave në Kosovë dhe në ekonominë e saj?

Ilir Ibrahimi: Padyshim një vend që është i ballafaquar me sanksione nuk është një vend atraktiv për të investuar dhe kjo ka pasur efektet e veta, qoftë ato të drejtpërdrejta nga mos marrja e fondeve për shkak të sanksioneve edhe tek mesazhi që është dërguar tek investitorët dhe partnerët e mundshëm potencial. Tani, sa të drejta kanë qenë këto masa apo sanksione është një çështje debati sepse ka ndoshta një qasje shumë më agresive ndaj Kosovës se sa Serbisë. Dihet tanimë që Serbia e ka dëshmuar se është faktori numër një më destabilizues në rajon, mirëpo ne ndoshta nuk kemi ditur që të pozicionohemi ashtu si duhet për t'i bërë ballë këtyre sfidave të cilat vazhdimisht vijnë nga Serbia. Ndoshta politika ka mundur të ketë një qasje pak më ndryshe në lidhje me miqtë ndërkombëtar dhe të renditet ashtu siç e kemi pasur lidhjen deri më tash apo në të kaluarën pa i marrë si bazë këto vendimet e fundit të cilat kanë çuar ndoshta edhe tek sanksionet.

Zëri i Amerikës: Cili është aktualisht mjedisi i të bërit biznes në Kosovë?

Ilir Ibrahimi: Kosova shihet ndryshe nga jashtë nga ajo që është në realitet. Kosova me të vërtetë është një vend i mirë për të investuar dhe për të bërë biznes. Por, mesazhet të cilat i dëgjojnë investitorët e huaj nuk janë ato që e paraqesin realitetin e Kosovës. Pra është një bindje e gabuar ndaj Kosovës sepse nuk është që vendi përballet me krizë politike apo me ndonjë krizë të sigurisë që investitorët të kenë frikë se nuk iu sigurohen investimet. Ne duhet të bëjmë punë më të mirë për të dërguar këtë mesazh pozitiv jashtë, pra t'i ikim mesazheve të luftës, t’u ikim mesazheve se Kosova është para një krize tjetër apo të një konflikti të mundshëm me Serbinë apo këto lloj mesazhe që i kemi dëgjuar fatkeqësisht dy apo tre vitet e fundit dhe të përqendrohemi tek mesazhet pozitive për të ftuar partnerë e bashkëpunëtor të jashtëm të cilët do të gjejnë një mjedis shumë të mirë në Kosovë. Politika fiskale e Kosovës qoftë kur është për tatimet apo si është zhvilluar biznesi deri më tani, ofrojnë shumë mundësi të mëdha të cilat do të ishin mundësi të mira për investitorë nga Evropa dhe nga Shtetet e Bashkuara. Pra, realiteti i Kosovës është ai i cili duhet të promovohet shumë më tepër se sa që është duke u bërë deri më tani dhe kjo do të çojë pastaj në prosperitet ekonomik.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë, ekonomia ka shënuar rritje të vazhdueshme me një mesatare vjetore prej 6.2% të prodhimit bruto

Ilir Ibrahimi: Jo, ky numër nuk është i vërtetë pasi fjala është për mesataren e tre viteve e kështu nuk matet rritja ekonomike. Fatkeqësisht, Kosova vitin e kaluar e ka patur rritjen ekonomike pak mbi 3 % që është një nga rritjet më të ulta të 10 viteve të fundit. Kështu është paraqitur nga qeveria, por nuk është si matet rritja ekonomike.

Zëri i Amerikës: Edhe nëse themi se fjala është rritje ekonomike për tre vitet e fundit dhe që qeveria e ka paraqitur në mënyrë që nuk është plotësisht e saktë, këto tre vite përkojnë me një periudhë kohore kur ishin akoma edhe pasojat e pandemisë dhe kur ndodhi lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës, pikërisht në këtë hark kohor. A nuk është e justifikueshme një rritje e tillë?

Ilir Ibrahimi: Por kjo nuk është rritje e tillë sepse është marrë prej një viti i cili është vit jonormal. Pra, viti pas Covid-19 nuk është vit normal i cili mund të merret bazë për rritjen ekonomike pasi nga një rritje negative prej 5% vitin tjetër ke shkuar në një rritje pozitive 10%. Pra, këto dy vite nuk janë vite normale që mund të merren si bazë për të matur rritjen ekonomike. Një ekonomi si duhet nuk i merr këto parasysh dhe këtë e bën vetëm me ato vitet të cilat janë vite normale të të funksionimit të ekonomisë...

Zëri i Amerikës: Pra, atëherë cilat janë rezervat tuaja? Çfarë mund të kishte bërë me politikat ekonomike më mirë qeveria në këto kushte kur të themi të drejtën ka patur pasoja tek ekonomia edhe në vende më të zhvilluara dhe të konsiliduara?

Ilir Ibrahimi: Pikë së pari duhet të ketë dialog më të mirë dhe të shihet për një partneritet me sektorin privat pasi kjo e fundit është ai që e zhvillon eknominë. Nuk e zhvillon ekonominë qeveria. Nëse do të kishte një planifikim apo një dialog të mirëfilltë atëherë do të mund të identifikoheshin edhe politikat më të mira që duhet t'i ndërmerr qeveria për t'i shtuar këto mundësi të rritjes ekonomike. Ne po kalojmë një periudhë, edhe sot na u tha në disa nga këto takime që kompanitë amerikane dhe të Evropës perëndimore janë duke u larguar nga Kina dhe janë duke kërkuar tregje tjera ku t'i vendosin prodhimet e tyre apo ofrimin e shërbimeve. Duke qenë se Kosova është një vend shumë pro-perëndimor duhet ta shfrytëzojë këtë momentum sepse kjo mund ta ndryshojë ekonominë e vendit. Nëse humbet ky rast, e raste të tilla nuk vinë çdo vit por ndoshta një herë në 30 vjet, është një rast që do të më dhimbtte shumë nëse Kosova nuk do e shfrytëzonte. Shqipëria ka filluar ta shfrytëzojë deri diku, por jo në masën e mjaftueshme edhe për atje kam disa kritika. Në këto momente po të kesh kompani të mëdha amerikane të cilat do ta vendosnin kompaninë e tyre në rajonin e Ballkanit, në vendet që janë shumë pro-amerikane atëherë kjo e siguron jo vetëm ekonominë e vendit për dekada me radhë, por e siguron edhe stabilitetin politik sepse kur kompanitë e mëdha amerikane investojnë në një vend atëherë ajo vjen edhe me një lloj të përkrahjes së politikës amerikane. Prandaj, këto mundësi që ne nuk po arrijmë t'i shfrytëzojmë më bëjnë kritikun më të madh ndaj qeverisë apo ndaj atyre që janë duke u marrë me ekonominë. Sektori privat në të gjithë botën shqiptare në Ballkan është maturuar mjaftueshëm për të ofruar një lloj partneriteti për çdo kompani që vjen nga jashtë. Pra, kjo është një vlerë e shtuar që duhet ta shfrytëzojmë më mirë duke ia ofruar këto kompani që janë zhvilluar mjaft në Kosovë si partnere potenciale kompanive që vijnë nga jashtë dhe kështu zhvillohet ekonomia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat