Diplomati shqiptar, thirrje “të fortë” Kurtit: Përgatitu për këtë skenar, ideja e vjetër ruse përfshin edhe veriun e Kosovës

Intervista

Diplomati shqiptar, thirrje “të fortë” Kurtit: Përgatitu për këtë skenar, ideja e vjetër ruse përfshin edhe veriun e Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 maj 2024 Në ora: 15:49
Ledion Krisafi

Studiuesi i lartë dhe koordinatori i projekteve në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë, Ledion Krisafi, ka thënë se versioni i vetëm i pranuar nga Gjermania, Franca dhe Itali për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, është ai i propozuar nga Bashkimi Evropian.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, vlerëson se Asociacioni është i panevojshëm, por se sipas tij, BE-ja dhe Amerika janë fokusuar te kjo çështje, “sepse mendojnë që kjo është mënyra se si mund ta joshin Serbinë të firmosë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën”.

Krisafi në këtë intervistë ka folur edhe për një skenar, që në fund të luftës së Ukrainës, Rusia të ofrojë një marrëveshje të madhe kufijsh në Evropën Lindore, që do të përfshinte Ukrainën, Bosnje Hercegovinën dhe veriun e Kosovës.

Ai ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të përgatitet për një skenar të tillë, në rast se Donald Trump i fiton zgjedhjet në SHBA, pasi ai do të rikthejë idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dështoi, për shkak të kushtit që lidhej me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si e keni parë ju këtë proces?

Ledion Krisafi: Ka dy gjëra që mund të thuhen këtu. E para, nga ana e Bashkimit Evropian mbi të gjitha kishte një lloj hipokrizie, në faktin që Kosovës në çdo hap që ka ecur drejt Këshillit të Evropës, por dhe në rastin e liberalizimit të vizave, i janë vënë kushte si asnjë vend tjetër. Nuk duhet të kishte ndodhur kjo. Kosova duhet të përmbushte kushtet si çdo vend tjetër. E dyta, nga ana tjetër, vetë qeveria e Kosovës është treguar e paaftë të kuptojë erërat e politikës së jashtme. Letra e Francës, Gjermanisë dhe Italisë ishte një shuplakë për qeverinë e Kosovës. Thelbi i letrës nëse e themi në gjuhën popullore ishte: ‘’mos na bëni për budallenj’’. Pra, qeveria e Kosovës duhet të ishte treguar më fleksibile dhe t’i kishte dhënë Francës, Gjermanisë dhe Italisë atë që ato dëshironin, të shihnin vullnetin për të përmbushur Asosacionin, gjë që nuk ka ndodhur. Ka pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion për të bërë një version të Asosacionit ashtu siç i shkonte për shtat Kosovës, por qeveria e Kosovës praktikisht nuk ka bërë asgjë.

Personalisht, mendoj që Asosacioni është i panevojshëm. Serbët e Kosovës kanë të drejtë më shumë se çdo pakicë tjetër në botë. Por, BE-ja dhe Amerika janë fokusuar tek Asosacioni, sepse mendojnë që kjo është mënyra se si mund ta joshin Serbinë të firmosë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën dhe Kosova duhet të kishte bërë pjesën e vetë, duhet që presionin tashmë ta kishte kaluar në anën e Serbisë.

“Bota sot”: Si i shihni ditët në vijim lidhur me rrugëtimin e Kosovës drejt kësaj organizate, përball një fushate të egër të Serbisë?

Ledion Krisafi: Në këtë pikë nuk është problem kryesor fushata e Serbisë. Serbia pritej që do të bënte një fushatë të tillë kundër Kosovës. Problem i Kosovës është që tri shtetet kryesore të BE-së, Gjermania, Franca dhe Italia janë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, nëse nuk përmbush kushtin e Asosacionit dhe kjo është një pengesë shumë më e madhe se Serbia. Qeveria e sotme e Kosovës duhet të gjejë një mënyrë të dalë nga izolimi dhe rrethimi ku e ka futur veten. Këto shtete mendojnë se e vetmja mënyrë për të detyruar Albin Kurtin të bëjë Asosacionin është në këtë mënyrë, duke e kushtëzuar me anëtarësimin e Këshillit të Evropës dhe në këtë çështje nuk ka lidhje fare qëndrimi i Serbisë. Nëse Kosova nuk kryen Asosacionin, nuk do të ketë anëtarësim në Këshillin e Evropës. Franca, Gjermania dhe Italia në letrën e dërguar e bënë shumë të qartë që duan të shohin hapa konkrete, që për momentin mungojnë dhe këto hapa duan t’i shohin sipas linjave që kanë vendosur vetë, jo sipas linjave që vendos Albin Kurti.

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim. A mendoni se ky draft do t’i bindë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, që e kundërshtuan anëtarësimin e Kosovës në KiE, pa hapa konkretë drejt formimit të Asociacionit?

Ledion Krisafi: Në këtë pike ku ndodhemi, i vetmi version i pranuar nga Gjermania, Franca dhe Italia është ai i propozuar nga vetë ato, pra nga vetë BE-ja. Çdo gjë tjetër do të jetë e papranueshme, dhe nga letra e tyre dërguar qeverisë së Kosovës tregoi që Kosova nga ana e saj, ka bërë një gabim të madh duke i propozuar tri shteteve më të fuqishme të BE-së që draftin e Asosacionit ta diskutojë me kryetarët e zgjedhur të komunave në veri, që të gjithë e dimë si janë zgjedhur dhe që nuk përfaqësojnë popullsinë me shumicë serbe që banon në ato zona. Ky qëndrim është tërësisht i papranueshëm për BE-në. Problemi kryesor i Albin Kurtit sot është që ka humbur tërësisht besimin e BE-së. Në sytë e BE-së Albin Kurti sot është një njeri që nuk mund të besohet, që nuk mban fjalën e dhënë, nuk përmbush detyrimet dhe do të duhet shumë punë që ta rifitojë këtë besim, nëse do ta rifitojë. Ky është qëllimi kryesor i Kurtit për momentin, të fitojë besimin e BE-së. Me veprimet e tij e ka ashpërsuar dhe më shumë qëndrimin e BE-së. Nëse në fillim BE-ja ishte e gatshme të pranonte një draft nga Kosova, sot duket se BE nuk e pranon më një draft nga Kosova. Sot BE e ka vetë draftin dhe do ta imponojë.

“Bota sot”: Opozita në Kosovë vazhdimisht e ka akuzuar Qeverinë se ka prishur marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Si i shihni ju marrëdhëniet e kryeministrit Kurti me Amerikën?

Ledion Krisafi: Kurti ka bërë gabime dhe në lidhje me Amerikën. Nuk ka logjikë që një kryeministër të sillet keq me aleatin më të madh të shtetit të tij dhe çelësin e sigurisë së Kosovës. Ta themi troç, SHBA janë çelësi i sigurisë së Kosovës. Pa Amerikën nuk ka asnjë siguri Kosova. Pa ushtarët amerikanë në Kosovë dhe mbështetjen e Amerikës, Kosova është tërësisht e zbuluar. Një gabim i madh ishte kur Kurti i tha Sekretarit Blinken që është naiv dhe nuk kupton nga politika e jashtme. Unë mendoj që Albin Kurti duhet të tregohet më i kujdesshëm dhe i matur me amerikanët, duhet të përpiqet të gjejë një gjuhë të përbashkët dhe jo të konfrontohet siç ka ndodhur deri tani. Dhe amerikanët, ashtu si evropianët, e kanë humbur besimin te Kurti. E shohin si një person që nuk e mban fjalën e dhënë. Dhe Kosova ka nevojë për Amerikën. Ka vite tashmë që procesi i njohjeve të Kosovës ka ndaluar, madje kemi pasur dhe disa raste çnjohjeje nga disa vende afrikane. Ky është një dështim i madh për Kosovën. Është një dështim edhe, sepse Amerika nuk është angazhuar.

“Bota sot”: Kurti po shqyrton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në fund të mandatit të tij, pse mendoni se po e ndërmerr ai këtë hap?

Ledion Krisafi: Kurti po përpiqet të rikonfirmojë vetveten në politikë dhe për t’i treguar BE-së në radhë të parë që ka mbështetjen e elektoratit. Kjo vlen për Kosovën, por unë kam përshtypjen që BE-së nuk i bën përshtypje fare nëse Kurti e ka apo jo mbështetjen e elektoratit. BE-ja është shumë e qartë se çfarë kërkon prej Kurtit dhe zgjedhjet i sheh thjesht si një mënyrë për të marrë më shumë kohë. Kurti mund të dalë prapë i fituar dhe ndoshta dhe më i fortë në politikën e Kosovës, por vetë Kosova në arenën ndërkombëtare do të dalë më e dobët dhe më e izoluar.

“Bota sot”: Si një diplomat, si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Ledion Krisafi: Albin Kurti dhe Edi Rama janë rivalë politikë. Nuk ka qenë ky rasti me Hashim Thaçin apo Ramush Haradinajn. Të dy kanë për qëllim dominimin e skenës politike shqiptare në rajon dhe këtu përplasen me njëri-tjetrin. Ardhja e Albin Kurtit në zgjedhjet e prillit 2021 në Shqipëri, votimi kundër qeverisë, fushata kundër qeverisë, vendosja e kandidatëve kundër qeverisë, ishte një gabim shumë i madh prej tij. Nuk mund të presësh pastaj që qeveria shqiptare të ketë marrëdhënie të mira me një person që ka bërë fushatë kundër saj.

Problem i dytë ka qenë fakti që në ‘’luftën e fjalëve’’ mes SHBA-së dhe Kurtit, Rama ka mbajtur anën e SHBA -sëdhe jo të Kurtit. Marrëdhëniet shtetërore janë në pikën më të ulët prej shumë vitesh, por marrëdhëniet mes njerëzve të zakonshëm janë më mirë se kurrë më parë. Shqiptarët në dy anët e kufirit sillen dhe jetojnë sikur të mos ketë kufi mes tyre. Politika nuk e ndjek këtë shembull. Ka një mëri të madhe mes Kurtit dhe Ramës dhe gabimi kryesor mendoj se është në anën e Kurtit. Rama nuk bëri fushatë në Kosovë kundër Kurtit dhe as ka vendosur kandidatë në zgjedhje kundër Kurtit. Këto janë veprime që Kurti ka bërë në Shqipëri kundër Ramës. Duhet të kuptojmë një gjë. Shqipëria është vendi amë si për shqiptarët në Kosovë dhe për ata në Maqedoni. Shqipëria është e para në këtë marrëdhënie. Shikoni se si është sjellë politika amerikane në këtë rast. Çdo mesazh për Kosovën është dhënë nga Tirana, nuk është dhënë nga Prishtina. Kjo nuk është rastësi. Kosova duhet ta dëgjojë fjalën e Shqipërisë dhe politika e jashtme duhet të jetë e koordinuar. Sot jo vetëm që nuk është e koordinuar, por përkundrazi shkojnë në drejtime të kundërta.

“Bota sot”: Pamë një “injorim” të kryeministrit Kurti nga homologu Edi Rama, në Samitin në Kotor. Si e komentoni ju sjelljen e ftohtë të Ramës me homologun nga Prishtina dhe përqafimin me presidentin serb Vuçiq?

Ledion Krisafi: Është pikërisht shenjë e ftohtësisë dhe rivalitetit politik mes dy palëve. Me Vuçiqin unë mendoj që Rama bën spektakël. E bën për t’i bërë karshillëk Kurtit, por ka dhe një logjikë kjo marrëdhënie me Serbinë. Pavarësisht gjithçkaje, kjo marrëdhënie e Ramës me Vuçiqin ka shërbyer për të relaksuar situatën në rajon. Gjithmonë kur ka një problem, ekziston sot një marrëdhënie dhe një linjë komunikimi mes dy palëve. Nëse nuk do të ishte, problemet do të ishin dhe më të mëdha. Megjithatë, unë mendoj që në disa raste Rama ka bërë gabim. Ka rënë në kurthin e Serbisë dhe kurthi i Serbisë është që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Tiranën për të anashkaluar Prishtinën, por dhe për të krijuar mosmarrëveshje mes Tiranës dhe Prishtinës. Dhe kjo ka ndodhur. Rama duhet të ishte treguar më i kujdesshëm dhe i matur me Serbinë. Nuk ka nevojë për vëllazërira të tilla me dikë që punon 24 orë për të dëmtuar Kosovën dhe Kosova është interesi numër 1 kombëtar i Shqipërisë.

“Bota sot”: Çka parashihni se mund të ndodhë me fatin e Kosovës dhe Shqipërisë, në rast se Trump vjen sërish në pushtet? A mund të rikthehet ideja për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi?

Ledion Krisafi: Donald Trump është i paparashikueshëm. Duhet thënë që administrata e tij ishte më dashamirëse me Beogradin se sa me Prishtinën, sidomos me të dërguarin amerikan Richard Grenell. Mendoj se ideja e shkëmbimit të territoreve mund të rikthehet dhe mund të jetë më imponuese se sa herën e parë dhe ky imponim mund të çojë në pikën që Kosova të izolohet nga SHBA nëse nuk e pranon një marrëveshje të tillë. Mund të përfundojmë në skenarin e marrëveshjes së Uashingtonin, ku Kosova dhe Serbia u detyruan ta firmosnin, pavarësisht se thuajse nuk e kishin lexuar fare marrëveshjen. Ekziston mundësia që në fund të luftës së Ukrainës, Rusia të ofrojë një marrëveshje të madhe kufijsh në Evropën Lindore, që do të përfshinte Ukrainën, Bosnje Hercegovinën dhe ndoshta veriun e Kosovës. Kjo është një ide e vjetër ruse, por që Rusia mund të jetë në gjendje ta ofrojë nëse arrin të fitojë luftën në Ukrainë. Një marrëveshje e tillë mund të pranohej nga një administratë Trump dhe do të përfshinte dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e Kosovës nuk duhet ta shohë një skenar të tillë si utopi, përkundrazi duhet të përgatitet për diçka të tillë. Nuk ka asgjë të keqe të flasim dhe për shkëmbime territoresh, nuk duhet të jetë vijë e kuqe. Nëse problemet zgjidhen një herë e mirë me shkëmbim territoresh, është një ide që duhet marrë në konsideratë. Qeveria e Kosovës, cilado qoftë, duhet të jetë më pragmatike, më realiste në politikën e jashtme. Nga Kurti shoh një idealizëm dhe dogmatizëm që nuk shkon në politikën e jashtme. Jemi në një situatë ku nuk ka më rendësi kush ka të drejtë dhe kush jo, por të gjithë shohin interesat e veta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat