Zgjedhje në vjeshtë? Bulliqi përmend sondazhet, ky do të jetë rezultati i ardhshëm i LVV-së

Intervista

Zgjedhje në vjeshtë? Bulliqi përmend sondazhet, ky do të jetë rezultati i ardhshëm i LVV-së

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 maj 2024 Në ora: 10:01
Shpejtim Bulliqi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Ai i ka komentuar zhvillimet politike që po ndodhin në Kosovë e po ashtu ka folur edhe për punën, projektet e sfidat në komunën që udhëheq.

Sa i përket mos anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe presionit për themelimin e Asociacionit, Bulliqi thotë se Kosovës iu bë një kërkesë e padrejtë dhe se me lënien jashtë nga KiE u dëmtuan qytetarët e Kosovës.

Kurse, për takimin mes Kurtit dhe Krasniqit, Bulliqi ka thënë se do të ishte e udhës që të gjitha partitë politike të dakordohen për një date të zgjedhjeve.

Sipas tij, qeveria është në fund të mandatit, andaj koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja do të ishte vjeshta e këtij viti.

Derisa, për zgjedhjet e ardhshme, përkatësisht se si do të jetë Vetëvendosje me rezultat, ai thotë se në bazë të sondazheve dallimi nuk do të jetë i madh nga zgjedhjet e kaluara.

Bulliqi, për punën në Komunën e Podujevës, ka thënë se nuk kanë sfida të mëdha me të cilat ballafaqohen.

Ai ka përmendur disa nga projektet që do të realizohen gjatë mandatit të tij.

Se a do të kandidojë sërish për kryetar komune, Bulliqi tha se njëherë është herët për këtë dhe se vendosin organet e partisë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Kosova mbeti jashtë KiE-s, dhe Asociacioni mbetet ende temë, presioni është i madh nga ndërkombëtarët, Kurti nuk do ta themelojë, cila mendoni se është zgjidhja në këtë mes?

Shpejtim Bulliqi: Sa i përket çështjes së asociacionit, mendoj se është kërkesë  e padrejtë që po i bëhet Kosovës, meqenëse Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt përmbushjes së obligimeve që ka marr nga marrëveshjet e kaluara me Kosovën me ndërmjetësimin e BE-së. E kanë thënë edhe diplomatët e huaj se Kosova e ka merituar të bëhet anëtare e KiE dhe lënia jashtë në këtë fazë konsiderojmë që më së shumti i është bërë dëm qytetarëve të Kosovës, të cilët do të mund t’i realizonin shumë të drejta përmes Gjykatës së Stratrsburgut. Pavarësisht që këtë shans e kemi humbur, mendoj që për një kohë jo të largët Kosova do të jetë anëtare e KiE, sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet sa i përket anëtarësimit në këtë Këshill dhe çështja e Asociacionit është çështje politike që nuk ndërlidhet asgjë me KiE.

“Bota sot”: Kurti është takuar me Krasniqin dhe kanë diskutuar ndër tjera edhe për zgjedhje të parakohshme, cili është mendimi juaj për këtë?

Shpejtim Bulliqi: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare për të diskutuar për të gjitha çështjet që atyre ju interesojnë përfshirë edhe zgjedhjet. Meqenëse Qeveria e Kosovës është në vitin e fundit të mandatit dhe zgjedhjet e rregullta do të duhej të mbaheshin në shkurtin e vitit të ardhshëm, do të ishte më e udhës sikur liderët partiak të dakordohen për një datë të zgjedhjeve që do të ishte më e përshtatshme për qytetarët, sesa shkurti për shkak të motit. Mendoj se koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare do të ishte vjeshta e këtij viti.

“Bota sot”: A mendoni se Vetëvendosje sërish do të dalë e para në zgjedhje?

Shpejtim Bulliqi: Të gjitha sondazhet që janë realizuar kohën e fundit e nxjerrin Vetëvendosjen si parti e parë, me një rezultat që nuk dallon nga zgjedhjet e vitit 2021.

“Bota sot”: Kalojmë pak te puna juaj si kryetar, si po ju ecin punët në komunë dhe cilat janë sfidat me të cilat po përballeni?

Shpejtim Bulliqi: Si qeverisje komunale nuk kemi sfida të mëdha me të cilat po ballafaqohemi. Ka nganjëherë vonesa në realizimin e projekteve nga ndonjë kompani, por që kjo nuk varet drejtpërdrejt prej neve por bie përgjegjësia në operatorin ekonomik që realizon projektin.

“Bota sot”: Si po shkon realizimi i planeve dhe projekteve tuaja për qytetin dhe qytetarët e Podujevës?

Shpejtim Bulliqi: Ka shumë projekte të mira që po realizohen gjatë kësaj kohe në komunën tonë me shifra milionëshe siç janë: Urgjenca e Qytetit, Stacioni i Autobusëve, Qendra Multifunksionale, ndërtimi i tri shkollave të reja, ndërtimi i dy çerdheve të reja, pa i përmendur edhe dhjetëra projekte të tjera që janë në realizim e sipër. Këto ditë pritet edhe fillimi i punimeve në ndërtimin e disa projekteve të mëdha siç janë: Zona Industriale, Parkingu Nëntokësor, Shkolla Ekonomike, Varrezat e Qytetit etj.

Bota sot”: Sa keni përkrahjen e opozitës komunale në votimin e projekteve të reja?

Shpejtim Bulliqi: Nuk kemi asnjë projekt apo vendim që është bllokuar në kuvend për shkak të mungesës së votave.

“Bota sot”: Emergjenca dhe Stacioni i Autobusëve janë në ndërtim e sipër, kur mund të finalizohen dhe të hyjnë në funskion?

Shpejtim Bulliqi: Për projektin e Stacionit të Autobusëve po synojmë që për ditën e çlirimit të Podujevës, më 19 qershor të jetë gati dhe ta funksionalizojmë, kurse Urgjenca e Qytetit pritet që më pak se 2 muaj do të jetë gati dhe në shërbim të qytetarëve.

“Bota sot”: Z.Bulliqi, a do të kandidoni sërish për kryetar të Podujevës, nëse jo a keni menduar se kush do t’i përfaqësonte më së miri llapjanët

Shpejtim Bulliqi: Për këtë çështje është ende herët të flasim, kur vjen koha vendosin organet e partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat