Gjergj Kastrioti, tribunë e hero i lirisë dhe shpëtimtar i Arbërisë

Historia

Gjergj Kastrioti, tribunë e hero i lirisë dhe shpëtimtar i Arbërisë

Nga: Gjon Keka Më: 26 korrik 2023 Në ora: 20:15
Gjergj Kastrioti

Nëse do të mund të ngrija dikë nga të vdekurit për të mirën e kombit tonë Arbëror, ky do të ishte Gjergj Kastrioti, ilaç i vërtetë për plagët e nxehta të kohëve tona.

Shpesh Gjergj Kastrioti është krahasuar me Herkulin si një shpëtimtar dhe një hero i fuqishëm e i pamposhtur i cili përballet kundër Hydras me shumë kokë, dhe kalon pothuajse të gjitha betejat luftrake përballë tij.

Një krahasim i këtyre dy figurave njërës mitologjike tjetrës historike nuk është bërë rastësisht, sidomos për të treguar se ashtu sikur Herkuli që ishte i pajisur me fuqi të mbinatyrshme, kështu edhe Gjergj Kastrioti pati po atë vulë qiellore si një hero i pamposhtur me fuqi të mbinatyrshme i cili qëndroi përballë Perandorisë otomane njësoj sikur Herkuli përball Hydras dhe e mundi atë.

Me të drejtë në veprën e tij shumë interesante“Skënderbeu – Një studim historik”1894,konsulli dhe autori Pisko përshkruan jetën dhe bëmat e heroit tonë kombëtar arbëror Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), i cili, me talentin e tij të shquar strategjik, arriti t'u rezistojë ushtrive turke, të cilat ishin shumë më të larta në numër. 24 vjeç dhe i cili përmes magjisë që buronte nga personaliteti i tij ishte një nga fenomenet më të spikatura në fund të mesjetës.

Që nga kuvendi i Lezhës(2 mars 1444) me të cilën i bashkoi arbërorët Gjergj Kastrioti ,Arbëria në krye me këtë udhëheqës të saj vizionar e të urtë korrte vetëm fitore dhe e ngriti emrin e Arbërisë në zenitin e saj brenda kontinentit europian dhe në botë. “Pesëmbëdhjetë fushata kundër turqve, shumë përfunduan me fitore në terren, të tjera përfunduan me shkatërrimin e ushtrisë armike nga ushtria arbërore në krye me Gjergj Kastriotin,të gjitha këto ishin të lavdishme.

Fushatat pranverore dhe vjeshtore 1444, të ndara nga pezullimi i shkurtër i armëve të Zegedinit (12 korrik 1444), fushata e 1445 dhe fitorja e Morenës (afër Dibrës 1 tetor 1445), fushata e 1446 dhe fitorja e Otonetës (afër Dibrës 27 shtator 1446) , fushata e vitit 1448 dhe fitorja e grykave të Oroshit, kundër Mustafa pashës (afër Dibrës 14 tetor 1448).Fushata e vitit 1449 në të cilën turqit marrin Sietigradin me tradhti; rrethimi i tentuar nga Skënderbeu ishte i pasuksesshëm për shkak të mungesës së artilerisë. Fushata e vitit 1450, në të cilën sulltan Murati rrethon më kot për 5 muaj Krujën e mbrojtur nga konti Vrana, ndërsa Skënderbeu,e lodhi armikun me luftën e tij. Fushata e vitit 1452 dhe fitorja e Modresës (21 korrik 1452). Fushata e vitit 1453 dhe fitorja e Pollagës (pranë Shkupit 22 Prill 1453). Pakënaqësia dhe lodhja e shfrytëzuar me mjeshtëri nga turqit janë të kota. Fushata e vitit 1455 në të cilën Moisi Golemi, një shok tradhtar, në krye të një ushtrie turke goditet në grykat e Oroshit, dhe e vitit 1457, në të cilën Hamza, nipi rebel i Gjergj Kastriotit, goditet plotësisht më 24 shtator. Fushata e vitit 1462 dhe fitorja e Livadias. Pastaj një paqe e shkurtër, të cilës lidhja kundër turkut e ngritur nga Piu II i jep fund në vitin 1463. Fushata e vitit 1465 në të cilën Skënderbeu, i mbetur vetëm në krahë për shkak të vdekjes së Piut II, mundi armikun tre herë, të komanduar nga Ballaban pasha, një renegat shqiptar .

Fushata e vitit 1466 në të cilën Sulltan Mehmeti dhe Ballaban pashai e rrethuan më kot Krujën. Fushatat fitimtare e vitit 1467. Ndërthurur mes këtyre, lufta kundër venedikasve me rrethimin e Dejës dhe Durrrësit dhe me fitoren në brigjet e Drinit (3 korrik 1468) dhe ekspeditën e lavdishme në Itali. Por ethet e pashërueshme shpërthejnë në Lezhë më 17 janar 1468, rrjedha e kaq shumë lavdisë dhe kaq shumë fitoreve.”(L.Cetta,1931)I madhi, strategi,e shpëtimtari, burrështeti e kryeheroi i papërsëritshëm i Arbërisë mbyllë sytë në Lezhë për t'ia hapur në përjetësi duke e lënë Arbërinë pa mbrojtësin ,dhe shpëtimtarin e saj, por që e la vulën e identitetit dhe shëmbullit të përjetshëm e historik të të gjitha kohëve.Të gjithë historianët, udhëpërshkruesit e studiuesit e kanë parë Arbërinë si tokën e Gjergj Kastriotit sikur shkruan D.Urquhart 1839:"Rreth një orë nga Livadia, ne erdhëm me radhë në sytë e brigjeve të dhëmbëzuara të Gjirit Ambrakian, kepës leukadiane dhe bregdetit të Epirit.

Para nesh u ngrit toka e Pirros, Skënderbeut dhe Ali Pashës; dhe në të djathtë. , altarët malorë të mitologjisë antike, kreshtat e Pindit të sublimuara Dhe sikur kanë shkruar: “Nën Skënderbeun ata shpëtuan Europën duke mposhtur turkun. Edhe pse një racë e vogël, ata i kanë dhënë botës disa burra të mëdhenj, duke përfshirë Pirron, Aleksandrin e Madh, Shën Jeronimin, Konstantinin e Madh, Papa Klementin XI Albani dhe Krispin.”(Outlook,1916)

Kombi i detyrohet atij njohjen më të ngrohtë dhe vështrimin simpatik prapa betejave heroike e të lavdishme.Gjergj Kastrioti është Tribuna dhe heroi i lirisë së kombit tonë arbëror europian.

Dhe krejt në fund mund të them se nëse do të mund të ngrija dikë nga të vdekurit për të mirën e kombit tonë Arbëror, ky do të ishte Gjergj Kastrioti, ilaç i vërtetë për plagët e nxehta të kohëve tona.[Gjon Keka]

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat