Vdiq Aziz Makiqi, emri i madh i sportit të Kosovës

Hendboll

Vdiq Aziz Makiqi, emri i madh i sportit të Kosovës

Më: 5 qershor 2024 Në ora: 12:46
Aziz Makiqi

Ka ndërruar jetë Aziz Makiqi, ish-hendbollisti shumë i suksesshëm kosovar. Makiqi ka bërë emër në hendboll derisa ishte lojtar i Trepçës së Mitrovicës e më pas te Borci i Ferizajt.

Ka luajtur për dy skuadrat e suksesshme kosovare në periudhën më të mirë të tyre, edhe në ligën e parë federative. Makiqi ka bërë karrierë edhe jashtë Kosovës. Ishte edhe në Bundesligën gjermane si dhe në skuadra tjera të shtetit të dikurshëm federativ. 

Në 35 vjetët e fundit ka jetuar jashtë Kosovës, përkatësisht në Kroaci. Ishte edhe trajner, por ka lënë  gjurmë të pashlyeshme si lojtar. Në kohën e tij, Makiqi ishte prej lojtarëve më të mirë në shtetin e dikurshëm federativ.

I lindur në Mitrovicë në vitin 1958, Makiqi u zhvillua te Trepça. Karrierën e nisi në vitin 1974. Karrierë si lojtar ka bërë edhe në Austri e Itali, ndërsa si trajner punoi në Kroaci.

“Federata e Hendbollit e Kosovës dhe hendbolli kosovar në përgjithësi mbeti pa një emër shumë të rëndësishëm. Me paraqitjen në fushën e lojës, Makiqi ka bërë të gjithë për vete. Ishte ikonë e Trepçës dhe Borcit, kur këto dy skuadra po shkruanin histori. Me vdekjen e Aziz Makiqit hendbolli kosovar ka mbetur pa një anëtar shumë të rëndësishëm.

Karriera e tij si hendbollist ka shërbyer si frymëzim për shumë të rinj që zgjodhën sportin e hendbollit. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Makiqi, klubit Trepça dhe gjithë komunitetit të hendbollit në Mitrovicë  e në Kosovë”, shkruan në letrën e presidentit të FHK-së, Eugen Saraçini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat