Egnatia pret nesër Partizanin në Rrogozhinë.
Ndeshja që nis në 16:00 është e vlefshme për javën e 7-të të Superiores dhe në konferencën e zakonshme për shtyp ka folur trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.
Tetova ka hequr presionin nga skuadra, duke e konsideruar thjesht ndeshje radhe dhe jo test të vërtetë. Po ashtu ka konfirmuar mungesat e Xhemajlit, Dylys, Fangaj dhe Bakajako.
“E presim si ndeshje radhe për vazhdimësinë e një kampionati të gjatë në pritje të tre përballjeve të tjera me këtë kundërshtar.
Nuk është test i vërtetë sepse është vetëm ndeshja e parë nga katër të tilla, siç dihet në fazën e parë janë njohjet me ekipet kundërshtare për të pasur një ide më konkrete për tre fazat e tjera.
Nuk janë shumë 2 pikë sepse 1 fitore dhe 1 barazim të lënë në të njëjtat pozita, por shpresojmë të bëjmë më të mirën nesër.
Kemi parë lojën e re të Partizanit, sigurisht ka shtuar forcat në sulm dhe si pikë e fortë është sulmi për t’u marrë parasysh.
Vazhdojmë të punojmë me lojtarët e rinj që kanë ardhur, pritet më shumë nga ata, do të rrezikoj që t’i jap kohën e mjaftueshme sepse janë lojtarë që kanë potencial.
Është normale kjo që ndodh për vetë faktin se jemi kampionët në fuqi dhe çdo skuadër kërkon të masi forcat me Egnatian.
Përveç Xhemajlit, Dylys, Fangaj dhe Bakajoko, lojtarët e tjerë janë prezentë, kam besim që me mungesat që janë lojtarët e tjerë do të dinë ta menaxhojnë shumë mirë ndeshjen. Përtej mungesave vazhdoj të këmbëngul që çdo lojtar në skuadrën time është shumë i rëndësishëm dhe ka rol specifik", tha Tetova.