Ancelotti nuk ka limite si trajner

Futboll

Ancelotti nuk ka limite si trajner

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 13:48
Ancelotti

Carlo Ancelotti (65 vjeç) është në atë fazë të jetës, në të cilën rutina e përditshme e motivon sikur të ishte ende futbollist që sapo i “ka varur këpucët në gozhdë”. Një aventurë (si trajner) e nisur në vitin 1992, si asistent i Arrigo Sacchi.

Ai kaloi tri vite përkrah gjeniut të Milanit të madh (me të cilin kishte ndarë, si lojtar, dy Kupa Europiane/Champions League dhe lavdinë në “San Siro”), derisa më 1995 hodhi hapat e parë si trajner me Reggiana, në vendlindjen e tij, duke përmbushur ëndrrën e madhe, ngjitjen në Serie A.

Kanë kaluar tri dekada derisa ai u përcaktua përmes trofeve si trajneri më i mirë në histori, duke qenë i vetmi që ka fituar 5 Liga të Kampionëve (3 me Real Madridin dhe 2 me Milanin). Italiani është vetmi trajner që ka fituar titullin e kampionit në 5 ligat kryesore europiane (Spanjë, Itali, Francë, Gjermani dhe Angli).

Të tjerët do të tërhiqeshin mënjanë me një “palmares” të tillë, të shijonin qetësisht pensionin, por Ancelotti nuk ka ndërmend të ndalet. Me rastin e rrumbullakimit të 300 ndeshjeve në stolin e Real Madridit, ai tha me krenari: “Është pothuajse një mrekulli”.

Pavarësisht gjithë kësaj dhe me jetën e siguruar për më shumë se dy breza, “Carletto” nuk ka caktuar një datë skadimi të vetën si trajner. Për momentin nuk e përjashton mundësinë e vazhdimit edhe përtej vitit 2026, kur i përfundon kontrata e tij aktuale me Real Madridin.

Florentino Perez, i cili rinovoi me të gati një vit më parë, pa pritur rezultatet në fund të sezonit, siç e kishte zakon presidenti galaktik, është i kënaqur me italianin. Ai e di se menaxhimi taktik dhe njerëzor i ekipit është i patëmetë, me një staf që funksionon si orë zvicerane, duke filluar nga djali i tij Davide dhe “gjenerali” Pintus, përgjegjës për përgatitjen fizike.

Nuk ka më eksperimente si Manuel Pellegrini, Rafa Benítez apo Julen Lopetegui. Florentino Perez ka gjetur te Ancelotti trajnerin e duhur për stolin e “Bernabeu”. Për këtë arsye, Carlo ka arritur ta largojë debatin e zakonshëm, që i përndjek të gjithë trajnerët e Real Madridit, të gllabëruar nga kërkesat thuajse fanatike të një klubi që detyrohet të fitojë pothuajse gjithçka çdo vit që kalon, pa mundur t’i përdorë lëndimet apo gabimet e arbitrave si justifikim.

Situata e tij aktuale është e privilegjuar. Ancelotti ka mbështetjen pothuajse të shumicës së tifozëve dhe stafit në “Bernabeu”. Për më tepër, ai e di se në futboll vlejnë vetëm rezultatet pozitive, aq më tepër në profesionin e tij. Egoja e tij kërkon të vazhdojë në versionin “rock and roll” edhe për një kohë. E thënë ndryshe, Xabi Alonso apo Jürgen Klopp duhet të presin për t’u ulur në stolin e bardhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat