Mbrojtja e Juventusit gjurmon rekordin

Futboll

Mbrojtja e Juventusit gjurmon rekordin

Më: 25 shtator 2024 Në ora: 23:50
Foto ilustrim

Të shtunën kundër Napolit erdhi edhe barazimi i tretë radhazi për Juventusin, që mbajti sërish portën e paprekur në Serinë A. Në total janë 5 ndeshje pa pësuar që përkthehen në 450 minuta dhe Juventusi aktualisht është mbrojtja më e mirë ne Europë.

Bremer dhe shokët e tij të repartit kanë krijuar një mur përballë Di Gregorios dhe tani janë vënë në ndjekje të rekordit që Kaljari ka vendosur në sezonin 1966-1967. Në atë sezon, Kaljari nuk ka pësuar gol në 7 ndeshje radhazi që përkthehen në 712 minuta.

Të shtunën, të besuarit e Tiago Motës kanë mundësinë që të lënë pas edhe tri skuadra të tjera që kanë bërë më mirë gjatë historisë. Nëse ata nuk pësojnë gol brenda 11 minutave të para do të kalonin Parmën e sezonit 1998-1999 me 460 minuta pa pësuar gol.

Mjafton që të kalojnë edhe 9 minuta të tjera pa pësuar dhe do të kalonin gjithashtu edhe Fiorentinën e sezonin 1981-1982 me 469 minuta, ndërsa në kuotën e 482 minutave pa pësuar gol është Juvja e Alegrit në 2014-2015.

Më tej vjen Interi i 1972-1973 (563′), Napoli 1970-1971 (590′) dhe Milani i drejtuar nga Kapelo i cili në sezonin 1993-1994 arriti të mbante portën të paprekur për 7 ndeshje ose 690 minuta, 22 minuta në më pak se Rekordi i Kaljarit. Në rast se e arrijnë këtë objektiv të pashprehur, mbrojtja e Juventusit do të futej në histori duke vendosur një rekord absolut, që askush më parë nuk e ka arritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat