Holandë-Spanjë është finalja e Kampionatit Europian të moshës deri në 19 vjeç në futboll për vajza, kompeticion që po zhvillohet në Lituani dhe që po vjen drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. E jo vetëm kaq, por dhe futbolli shqiptar ka lënë gjurmë, ndërsa Emanuela Rusta ka arbitruar gjysmëfinalen e dytë, atë mes Holandës dhe Francës.
Në “Darius&Girenas Stadium” të Kaunasit, Holanda ka fituar me lehtësi ndaj Francës. Fillimisht ka realizuar golin e parë në të 19’ me Vons, e cila pranë shtyllës së djathtë pingule e ka shtyrë topin në rrjetë. Goli i dytë ka ardhur tre minuta nga fundi i pjesës së parë, ndërsa Tollhuk, në një kundërsulm të shpejtë, nuk ka falur përballë portieres franceze Belhaxhi.
Në pjesën e dytë, Franca është munduar të gjejë golin e nderit, por ka qenë e vështirë dhe në vërshëllimën e fundit të Emanuela Rustës, 2-0 për Holandës.
Ndërkohë Spanja duket se ka vijuar me hapin e fitores së ndeshjes në grup me Gjermaninë, teksa ka mundur Anglinë, 3-1.
Fillimisht ka shënuar Agote në të 25’. E më tej akoma, Komandador në fundin e pjesës së parë në dy tentativa në portën angleze e ka dërguar topin në rrjetë. Sapo ka nisur pjesa e dytë, e sapofutura Enderbi rihap ndeshjen, kjo në të 47’.
Mirëpo vetëm kaq, sepse Akuares e ka gjetur të papërgatitur portieren Koks dhe me një diagonale në të 68’ e ka dërguar topin në rrjetë. 3-1 dhe Spanja finaliste, atje ku duhet të mbrojë trofeun e fituar edicionin e kaluar. Finalja e madhe luhet më 27 korrik.