Shehi: Gjeorgjia si Shqipëria

Futboll

Shehi: Gjeorgjia si Shqipëria

Më: 24 korrik 2024 Në ora: 20:44
Shehi

Partizani ka si objektiv të shkojë sa më larg në Europë. Objektivi i madh i nënkampionëve të Shqipërisë janë grupet e Conference League.

Dhe për t’u afruar më arritjen e madhe duhet kaluar pengesa Iberia 1999.

Pasi kaluan maltezët e Marsaxlokkut në turin e parë, “Demat” e Orges Shehit i pret kundërshtari gjeorgjian në raundin e dytë. Dueli i parë do të zhvillohet në transfertë, te enjten (18:00), takim që vjen live në SuperSport 2.

Trajneri Orges Shehi preku tema të ndryshme në konferencën e zakonshme për shtypin, ku ndër të tjera tha:

“Na presin dy ndeshje të tjera në raundin e dytë të këtij kompeticioni. Nuk mendoj që në letër kjo ndeshje ka favoritë. Ne kemi ardhur këtu me synimin e qartë që në ndeshjen e parë, pavarësisht se kemi edhe takimin e kthimit, të kalojmë në raundin tjetër.

Iberia? Sigurisht e njohim këtë skuadër, pasi Partizani është përballur edhe 2 vite më parë. Por edhe vetë personalisht jam përballur vitin e kaluar me Dinamo Batumin kur drejtoja Tiranën. Besoj se kemi mjaftueshëm njohuri për futbollin gjeorgjian.

E dimë që futbolli këtu ka bërë përparime, për më tepër që ashtu si Shqipëria edhe Gjeorgjia ishin pjesë e Europianit 2024. Kemi njohuri, pavarësisht se çdo skuadër ka objektivat e veta.

Formacioni? Në dy përballjet që kemi zhvilluar ndaj Marsaxlokk kemi aplikuar skema të ndryshme. Patjetër që përballë çdo kundërshtari do të kemi strategjinë tonë, gjithmonë në raport me ekipin që luajmë.

Sot kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Mund të ketë ndonjë ndryshim nga ndeshja e fundit në emra. Gjithsesi mos prisni prej meje që t’ju zbuloj këtu në konferencë me kë do luaj dhe si do të luajmë nesër.

Euro 2024? Po, për të dytën herë Shqipëria ka regjistruar një arritje të tillë. Herën e parë pjesë e ekipit përfaqësues në Francë kam qenë edhe unë. Si Shqipëria dhe Gjeorgjia kanë bërë progres në zhvillimin e futbollit.

Futbolli nuk zhvillohet vetëm në fushë duke luajtur, por edhe në infrastrukturë. Për mua është hera e dytë që vij këtu dhe shikoj dy stadiume të mira, ashtu sikurse edhe ne kemi ndërtuar stadiume mjaft të mira.

Mendoj që dy vendet janë në rrugën e duhur për të zhvilluar akoma më shumë futbollin dhe arritur të tjera rezultate premtuese”, përfundoi timonieri i Partizanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat