Flamurtari, i papërmbajtshëm në merkato. Klubi vlonjat zyrtarizoi rikthimin në Shqipëri të Albi Allës, mbrojtës që spikaste pak vite më parë me Kukësin, ndërkohë që ka siguruar edhe shërbimet e Herald Markut, një tjetër lojtar i rëndësishëm me të cilin ka një marrëveshje dyvjeçare.
Të dyja këto përforcime vijnë vetëm pak pas atij të Sodiq Atanda, mbrojtës 30-vjecar që sezonin e kaluar luajti me Erzenin. Të tre janë emra të rëndësishëm, që bëhen pjesë e projektit të rëndësishëm që kanë nisur në Vlorë me synim rikthimin e skuadrës në Elitën e Futbollit shqiptar, mision ku dështoi për pak në fundin e sezonit të kaluar, duke mos mundur të triumfojë ndaj Laçit në Play Off.
Vlen të theksohet se Atanda është vetëm i fundit i një sërë përforcimesh të rëndësishme, me Flamurtarin që pak ditë më parë zyrtarizoi një tjetër mbrojtës, meksikanin Jose Cobian, teksa ka rikthyer në skuadër Ardit Hoxhajn, Fernandinhon, Stivi Frashërin, duke afruar një sërë lojtarësh të tjerë si Ilir Allmuça, Trimor Selimi, Alesandro Kacbufi, Aldrit Oshafi, ndërkohë që klubi ka rinovuar kontratat e lojtarëve të rëndësishëm si Vasil Shkurtaj, Denis Pjeshka apo Fabian Beqaj.
Timoni i drejtimit këtë sezon i është dhënë italianit Andrea Agostinelli, një tjetër investim i rëndësishëm ky i presidentit Sinan Idrizi me Flamurtarin që të paktën në letër, përvijohet si një ndër pretendentët klryesorë për fitimin e titullit në Kategorinë e parë dhe rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.