Egnatia dhe Partizani janë dy skuadrat shqiptare që do të luajnë në Evropë këtë javë, pas eliminimit në raundin e mëparshëm të Tiranës dhe Vllaznisë. Egnatia, pas eliminimit nga Champions League, do të luajë në Conference League me Vikingur të Reikjavikut, kampione e Islandës dhe kryesuese e kampionatit aktual.
Në javën e fundit të kampionatit islandez, që luhet në periudhën pranverë-vjeshtë, Vikingur u mund 1-0 nga Akureri dhe tani ka vetëm tri pikë më shumë se vendi i dytë, që mbahet nga Breidablik, ndërkohë që Valur ka pesë pikë por edhe një ndeshje më pak.
Takimi i parë do të luhet në Reikjavik të enjten, në orën 20.45 sipas orës së Shqipërisë, në stadiumin Vikingsvëlur, me kapacitet 1100 vende. Mbi 6300 kilometra larg, në lindje të Reikjavikut, në kryeqytetin gjeorgjian
Tbilisi, do të luajë Partizani, me Iberia 1999. Dy skuadrat janë ndeshur në Conference League në korrik të dy viteve më parë, dhe atëherë kalonin më tej gjeorgjianët, në atë kohë me emrin Saburtalo, si rajoni i Tbilisit që përfaqësojnë. Partizani fitoi 1-0 në Tbilisi, Saburtalo u përgjigj me të njëjtin rezultat në Tiranë dhe fitoi me penallti.
Në kampionatin aktual të Gjeorgjisë, që gjithashtu luhet në pranverë-vjeshtë por që është ndërprerë që nga fillimi i qershorit, Iberia mban vendin e tretë, me 32 pikë, 7 pikë poshtë vendit të parë, pas tri humbjeve radhazi. Ndeshja Iberia-Partizani do të luhet të enjten në orën 19.00 me orën e Shqipërisë, në stadiumin Mikheil Meskhi, me kapacitet 27,223 vende.