Interi vijon të mbetet në kërkim të një mbrojtësi të majtë, për të zëvendësuar kanadezin Tajon Buchanan, i cili do të mungojë deri në fund të vitit për shkak të një dëmtimi të rëndë.
Emri që është lakuar më së shumti orët e fundit ka qenë ai i zviceranit Ricardo Rodriguez, i cili ka një eksperiencë të konsiderueshme në Serinë A, pasi në të shkuarën ka luajtur me skuadra si Milan dhe në katër sezonet e fundit, Torino.
Menaxheri i mbrojtësit zviceran ka pranuar interesin e Interit për Rodrigeuz dhe ka zbuluar detaje nga takimi me Ausilion në fundjavën e kaluar.“Kemi biseduar me Ausilion për Rodriguez.
Drejtuesit e Interit, por edhe trajneri Inzaghi kanë vlerësim maksimal për të, megjithatë për momentin nuk ka një miratim nga ana e Oaktree. Fondi amerikan është i prirur të investojë drejt emrave të rinj, por pavarësisht kësaj, negociatat mbeten të hapura”, u shpreh agjenti i Rodriguez, Haroon Masoodi.
Mbrojtësi që më 25 gusht do të festojë ditëlindjen e 32-të, është futbollist i lirë dhe ka marrë oferta nga klube të ndryshme në Europë, por destinacioni i tij i preferuar mbetet Italia, aty ku aktivizohet prej shumë vitesh.