Priten afrime te Vllaznia

Futboll

Priten afrime te Vllaznia

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 11:02
Vllaznia

Ishte menduar që të martën Vllaznia të ishte në stërvitje, por mesa mësohet ata do të kthehen ditën e mërkurë.

Zhgënjimi në ndeshjen e kthimit të UEFA “Conference League”, gjë që solli eliminimin e Vllaznisë nga kompeticioni europian nuk është pritur aspak mirë në opinionin sportiv shkodran dhe më gjerë.

Shumë të zhgënjyer nga kjo situatë janë edhe drejtuesit e klubit kuqeblu, të cilët ndërsa ishin përgatitur për të ecur më tej në sfidat europiane, ballafaqohen me këtë situatë që përmbysë dhe vë në pikëpyetje shumë gjëra. Nga sa bëhet e ditur, që pas ndeshjes me Valur, skuadra vazhdon të jetë me pushime ku deri të martën, por deri të mërkurën, kur është planifikuar rifillimi i procesit stërvitor.

Seanca këto që do të vijojnë të zhvillohen në qytetin e Shkodrës, ku në pritje të 18 gushtit kur është vendosur të nis kampionati i Superiores me ndeshjen e javës së parë, Partizani-Vllaznia, kuqeblutë do të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore, por pa mësuar më parë se cilët do të jenë kundërshtarët e radhës.

MERKATO – Paraqitja e mirë në ndeshjen e parë në Islandë krijoi idenë se Vllaznia nuk ka nevojë më për merkato, por tashmë, presidenca së bashku me stafin teknik, pasi ka marrë në analizë të hollësishme paraqitjen dhe kontributin e secilit futbollist, pret të dalë në konkluzion për riparimin e ndonjë zgjedhje të gabuar. E sigurt është që Vllaznia do të ketë sërishmi merkato, që ndonëse pritet të rëndojë në arkën e klubit, ajo konsiderohet mëse e domosdoshme. Në tryezën e drejtuesve janë afruar disa emra nga kampionati shqiptar, por edhe nga jashtë vendit.

Gjithsesi, edhe pse pritet të ketë afrime, baza e skuadrës do të vijojë të jetë ajo që ishte në ndeshjet ndërkombëtare të “Conference League”, duke u dhënë një shans tjetër titullarëve për të reaguar në ndryshimin e situatës. Një gjë të tillë pas takimit të dytë me Valur se ka përjashtuar as vetë tekniku Thomas Brdariç. Vetë tekniku Brdariç pas takimit me Valur e theksoi se drejtuesit nuk po flenë, por janë në kërkim të lojtarëve të tjerë.

“Nuk është koha e duhur të flas për përforcimet. Jashtë fushës nuk po flemë gjumë dhe duhet të bisedojmë me lojtarë të rinj. Duhet të ulemi të gjithë së bashku dhe të vendosim me çfarë lojtarësh do ta vazhdojmë gjatë sezonit. Po ashtu nëse do të kemi mundësi të marrim ndonjë lojtar gjatë javëve në vijim”, është shprehur tekniku Brdariç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat