Ndikimi i mbërritjes së Kilië Mbape te Reali i Madridit ka tejkaluar të gjitha parashikimet. Nuk do të flasim për numrin e bluzave të shitura e kështu me radhë. As miliona e as qindra mijëra.
“Boom”-i i shifrave shpesh i përket asaj të fantazisë, por mund të pohojmë, sipas burimeve të konsultuara si nga klubi i bardhë, ashtu edhe nga “Adidas”, se ndikimi tejkalon shumë çdo gjë të përjetuar më parë. Ardhja e Bellingamin verën e vitit 2023 bëri bujë, por prania e tij u shtua me konkurrencën në lojë dhe ritmin e golave të tij.
Por ardhja dhe prezantimi Mbapesë e ka shumëzuar me pesë ndikimin e anglezit. Me shitjet online me dorëzim të vonuar për shkak të kërkesës së lartë, radhët e pafundme rreth dyqanit zyrtar të Realit të Madridit, “Adidas” kishte bërë tashmë parashikime për atë që do të vinte.
LIDHJA MADRID- “ADIDAS”– Reali i Madridit e ka veshur markën sportive “Adidas” për shumë vite, më konkretisht dhe në vazhdimësi që nga viti 1998. Është një martesë e kahershme dhe e vërteta është se marka me tre vija e ka të qartë se një pjesë e strategjisë së saj përfshin skuadrën. Të gjithë Champions-et në kohën e televizorit me ngjyra, përveç “të shtatës”, kanë mbërritur me Realin të veshur “Adidas” dhe tani me lamtumirën e “Adidas”-it nga kombëtarja gjermane, Reali është kthyer në referencën e madhe në nivel klubesh, pika e fortë e markave sportive.
100 milionët në vit që “Nike” do t’i paguajë Gjermanisë vështirë se rikuperohen, megjithëse është e vërtetë që “Adidas” ka kaluar verën më të mirë të mundshme me sukseset e Spanjës dhe Argjentinës, në Europian dhe Copa América, që së bashku me triumfet e Realit të Madridit në Ligën e Kampionëve dhe ardhja e Mbapesë, kanë vërshuar çdo cep të planetit me fanellat e “Adidas”.
120 milionë eurot që merr Reali është një marrëveshje e mirë dhe fitimprurëse për të dyja palët. Për momentin nuk ka një shifër zyrtare nga ana e klubit të bardhë, por sipas informacioneve të siguruara nga “Marca”, pritet që me ardhjen e Mbapesë Reali të shesë të paktën 4 milionë fanella. Gjasat janë që kjo shifër të arrihet e të tejkalohet.