Trajneri argjentinas, Jorge Sampaoli, shfrytëzoi rrjetet sociale për t’i kërkuar falje francezit Ousmane Dembélé, pasi kritikoi sulmuesin e PSG-së duke thënë se luante “si një person autik”.
Përmes një historie në Instagram, trajneri argjentinas ka shprehur keqardhje për të gjitha polemikat rreth deklaratave të tij, si dhe theksoi se nuk kishte ndërmend të fliste për autizmin, por për individualizmin e lojtarit të PSG-së.
“Nuk ka qenë kurrë qëllimi im t’i referohem autizmit. U kërkoj falje të gjithëve. Doja të flisja për individualitetin. Gjithmonë duhet të kesh shumë kujdes me fjalët që përdor”, tha trajneri 64-vjeçar.
Pavarësisht se zhvilloi një Euro 2024 nën pritshmëritë, Dembélé pati një sezon shumë pozitiv me PSG-në, pasi kishte shënuar gjashtë gola dhe kishte dhënë 14 asistime në 42 ndeshje me parizienët.
Në përfundim të sezonit 2023/2024, ish-sulmuesi i Barcelonës fitoi Ligue 1, Kupën dhe Superkupën e Francës.