Angli - Spanjë dhe Francë - Holandë. Janë këto gjysmëfinalet e Kampionatit Europian të moshës deri në 19 vjeç në futboll për vajza, i cili është duke u zhvilluar në Lituani dhe që po vjen drejtpërdrejtë në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Një shans më shumë për Spanjën për të mbrojtur titullin Kampion Europe për moshën deri në 19 vjeç, ndërsa në dy edicionet e fundit ka qenë fituese e saj. Madje nga “ferri” në parajsë mund të konsiderohet fitorja e Spanjës ndaj Gjermanisë.
Sepse nga buzë “greminës”, skuadra iberike tanimë është gjysmëfinaliste e Gjermania jashtë këtyre finaleve.
Spanja ka qenë më e vendosur për të marrë suksesin në këtë takim, teksa kishte vetëm një pikë në dy ndeshje. Dhe goli i Bejanaros në të 14’, kjo me një goditje të rreptë nga rreth 20 metra, ndërsa ka patur dhe ndihmën e Marisas, e cila ishte në rrezen e portieres Mol, i ka dhënë kurajë Spanjës.
Gjermania provon, por goditja finale për iberiket vjen në të 86’, teksa Pau Komendador shënon në pozicion diagonal me portën e mbrojtur nga Mol. Madje është anulluar dhe goli i tretë i Spanjës, që mban firmën e Marisës, ndërsa Agote shkakton faull.
Në vërshëllimën e fundit të Reka Molnar, 2-0, kurse Holanda ka fituar me të njëjtin rezultat me Irlandën. Kampionati Europian i moshës deri në 19 vjeç në futboll për vajza përfundon më 27 korrik.