Një histori e pabesueshme vjen nga Brazili. Më saktësisht nga Serie D në Brazil, që është niveli i katërt i futbollit në vend. Presidenti i Brasiliense, Luis Estevao, ishte i pakënaqur me rezultatet e arritura nga trajneri Paulo Santos.
Në ndeshjen e zhvilluar kundër Real Brasilia, pjesa e parë u mbyll në shifrat 0-0. Trajnerit Santos iu sos durimi dhe zgjodhi që të linte përfundimisht skuadrën që pas pjesës së parë. Ai mori stafin e tij dhe u largua, e la skuadrën në baltë pasi pa që lojtarët nuk po i përgjigjeshin më.
Atë që e bën akoma edhe më të bukur historinë, është fakti se doktori i ekipit, Jorge Oliva, mori vendin e trajnerit. Dhe si për ironi të fatit, Brasiliense shënoi 2 gola në minutën e 81 dhe të 83 me anë të Caio Nunes.
Në fund, Brasiliense pësoi një gol, por gjithsesi arriti të fitojë 1-2 me doktorin e ekipit si trajner.
Ndërkohë interesante ishte edhe deklarata e doktorit pas përfundimit të ndeshjes, i cili u shpreh se nuk e dinte që do të bëhej trajner i ekipit.
“Në stadiumin ku ishim dhomat e zhveshjes janë shumë të vogla dhe meqë ishte shumë vapë, thjesht ndoqa protokollin e zakonshëm (pas përfundimit të pjesës së parë) dhe pyeta lojtarët (që po lëviznin drejt dhomës së zhveshjes) nëse ata kishin ndonjë problem mjekësor.
Asnjë nuk u ankua dhe u vendosa të qëndroja jashtë, nuk e pashë se çfarë ndodhi në dhomën e zhveshjes dhe si erdhi dorëheqja e trajnerit”, tha Oliva pas fitores.