Bruno Guimaraes në “llupën” e Los Blancos!
Pavarësisht se ka në përbërje të skuadrës shumë mesfushorë me kualitet, Presidenti i “Galaktikëve” të Real Madrid, Florentino Perez po punon intensivisht për t’i dhuruar teknikut italian një emër cilësor si zëvendësues të Toni Kroos, teksa emri më i kërkuar është brazilani, Bruno Guimaraes.
Prej dy sezonesh tashmë, “shkatërruesi” brazlian është pjesë e Newcastle në Premier League dhe kombëtares “Seleçao” e sipas raportimeve më të fundit të mediave spanjolle, kampionët e Evropës kanë nisur nga puna për blerjen e Guimaraes, për kartonin e të cilit “Bardhezinjtë” anglezë kërkojnë 120 milionë euro.
Mirëpo, shuma e pretenduar nuk është i vetmi problem, pasi futbollistin latin e do edhe Pep Guardiola te Manchester City i tij, megjithatë në të shkuarën Perez ka treguar se nuk dështon lehtë kur fiksohet të blejë një futbollist dhe pritet të bëjë të pamundurën për ta transferuar brazilianin në kryeqytetin spanjoll.