Odise Roshi do të vijojë karrierën e tij te skuadra e Erzurumspor. Anësori kuqezi e ka mbyllur aventurën me Sakaryasporin dhe menjëherë ka arritur akordin me klubin e ri.
Sezonin e shkuar Roshi luajti 30 ndeshje me Sakaryaspor duke shënuar 5 gola e duke dhënë 3 asiste, por drejtuesit në fundin e sezonit i ofruan një kontratë të re, me ulje page, çka nuk u pranua nga fieraku.
33-vjeçari pritet të nënshkruajë një kontratë 2-vjeçare me Erzurumspor dhe do të jetë afrimi i parë që nga vera e vitit të shkuar, pasi në dritaren dimërore të transferimeve nuk u lejua nga FIFA për shkak të disa detyrimeve të prapambetura.
Roshi ka një karrierë të pasur, ndërkohë që luan në Turqi që nga sezoni 2021-2022, kur u bë pjesë e Boluspor, para se të transferohej pas vetëm një sezoni te Sakaryaspor, ku luajti për dy vite. Roshi ka luajtur dhe në Gjermani, Kroaci, Rusi, Hungari e Shqipëri, përveçse në Turqi. Me fanellën e kombëtares, anësori regjistron 70 ndeshje, 5 gola dhe 15 asiste.