Gjermania fiton me përmbysje ndaj Irlandës në Kampionatin Europian të moshës deri në 19 vjeç në futboll për femra, që është duke u zhvilluar në Lituani.
Pikërisht në “Jonava Siti Stadium”, gjermanet e trajnerit Mikael Urbanski kanë vuajtur për të marrë suksesin, edhe pse në pjesën më të madhe të ndeshjes kanë luajtur në gjysmëfushën irlandeze.
Madje në pjesën e parë, Gjermanisë, kjo në të 4’, i është anulluar një gol për pozicion jashtë loje të Boboit. Kein kthehet në një murë të pakalueshëm për Gjermaninë, kurse Irlanda, në të vetmen kundërzbritje në të 32’, gjen golin e avantazh. Inkursion nga e djathta e Rusëll dhe O’Liri, duke përfituar nga vendosja e gabuar e mbrojtjes, sidomos e Vileshek, dhe pritja jo e mirë e Mol, shënon golin e parë për Irlandën.
Dhe në pjesën e dytë, kjo në gjashtë minuta lojë, Gjermania ka forcën e përmbysjes. Fillimisht shënon Sheter me një goditje potente në të 71’, e cila përfundon në krahun e majtë të Kein.
Dhe më pas golin e avantazhit e ka shënuar Portela, që në fakt me ngritjen e takave përballë portieres Kein, që mbeti e dëmtuar për një çast, duket sikur shkaktoi faull. Por Milopulou e cilësoi të rregullt gjithçka dhe në vërshëllimën e saj të fundit 2-1 për Gjermaninë, e cila arrin në kuotën e katër pikëve në dy ndeshje. Europiani i moshës deri në 19 vjeç në futboll për vajza përfundon më 27 korrik.