​“Spanjollët e duan Serbinë, Anglia na ka çliruar e ishalla fiton”, qytetarët parashikojnë finalen e nesërme të Euro 2024

Futboll

​“Spanjollët e duan Serbinë, Anglia na ka çliruar e ishalla fiton”, qytetarët parashikojnë finalen e nesërme të Euro 2024

Më: 13 korrik 2024 Në ora: 20:58
Ilustrim

​“Spanjollët e duan Serbinë, Anglia na ka çliruar e ishalla fiton”, qytetarët parashikojnë finalen e nesërme të Euro 2024

Finalja e Kampionatit Evropian Euro 2024 po afron. Një ditë na ndan nga emocionet e ndeshjes së nesërme, kur edhe do të mësohet kombëtarja e re kampione e Evropës.

Kombëtarja e Spanjës dhe ajo e Anglisë do të përballen në stadiumin “Olympiastadion” të Berlinit me fillim nga ora 21:00 për trofeun prestigjioz të Euro 2024.

Disa në përkrahje të Spanjës e disa për Anglinë. Qytetarët të cilët e shijonin pasditen e sotme në Parkun e Gërmisë folën për KosovaPress për favoritin e finales së nesërme, për rezultatin ndërsa pati edhe mesazh për mospërkrahje të Spanjës.

Shkëlzen Çitaku nga Prishtina për KosovaPress tha se nesër do të triumfojë Anglia, dhe se do të festojë për shkak të dy vëllezërve të tij në Londër.

Çitaku: E dua, me zemër e dua Anglinë

"Anglia... E dua, me zemër e dua Anglinë... Loja 0:0, me penallti Anglia po shkon... Vallahi ishalla fiton.. se qysh se festoj për Anglinë, dy vëllezër i kam atje, midis Londrës", tha Çitaku.

Ndërkaq, Enver Rexhepi nga Prishtina tha se do të fitojë kombëtarja e cila “nuk ka dëshirë që askush të fitojë”.

Rexhepi: Dihet kush fiton, ai që s’kemi dëshirë askush të fitojë

“Kam dëshirë që Anglia të fitojë por dihet se kush fiton, ai që s’kemi dëshirë askush të fitojë... Sigurisht që Spanja. 2:1 për Spanjën”, tha Rexhepi.

Në anën tjetër, Rinesa Bajgora nga Prishtina tha se më e fortë është Spanja, dhe që ajo do të jetë kombëtarja e cila do të fitojë nesër.

Bajgora: Spanja janë më të fortë

“Spanjën... Janë më të fortë dhe më pëlqen Barcelona dhe Anglia s’është që më pëlqen shumë. 2:1 ose 3:1 për Spanjën”, tha Bajgora.

Xhavit Blakaj nga Istogu por me banim në Prishtinë tha se nesër e sheh favorite kombëtaren që ai nuk ka dëshirë që të fitojë.

Blakaj: Favorit e shoh atë që s’kam dëshirë të fitojë

“Favorit e shoh atë që s’kam dëshirë të fitojë. Spanjën, e s’kam dëshirë të fitojë, kam dëshirë të fitojë Anglia... Në futboll luan edhe fati, s’ki çka thua, 2:1, 1:1, edhe me penallti dikur vjen... 2:1 për Anglinë”, tha Blakaj.

E një qytetar që nuk deshi të identifikohej për KosovaPress tha se favorite e sheh Anglinë, pasi që “ajo na e ka bërë neve lirinë” dhe bëri apel, edhe pse sporti është sport, duhet mu përkrah ajo që të ka çliruar.

Qytetari: Spanjollët e duan Serbinë, Anglia na ka çliruar e ishalla fiton

“Unë favorit për Anglinë, se spanjollët nuk na kanë pranuar si shtet, ata e duan Serbinë, ata mendojnë se Serbia i ka te drejtat e shqiptari i Kosovës nuk i ka te drejtat, edhe unë jam për Anglinë, ishalla fiton Anglia. Ajo Anglia, ajo Amerika na e ka bo neve lirinë. Pse na të gëzohemi të fitojë Spanja, qa kem na interes na prej Spanjës, kurrgjë ... Sporti është sport, por ndonjëherë duhet mu përkrah edhe ai që na ka çliruar... sporti është sport, po pasi qe shteti i tyre din të na urrejë neve edhe na e urrejmë atë, se duam atë... Mendoj ndoshta 1:0 kanë me mbet... 1 ka me mbet ndoshta për Anglinë e 0 për Spanjën", tha qytetari.

Me fillim nga ora 21:00 stadiumi “Olympiastadion” do të jetë nikoqir i derbit final të Kampionatit Evropian Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë. /A.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat