Trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini është i zhgënjyer me Italinë në EURO 2024, por këmbëngul se “Azzurri” "kurrë nuk kishte Pelé, Messi dhe Maradona..."
Trajneri i Atalantas në një intervistë me “Il Corriere dello Sport”, ka folur për mënyrën se si po e ndërton skuadrën për sezonin e ardhshëm dhe dështimin e Italisë në Kampionatin Evropian Euro 2024.
“Unë ndaj të njëjtin mendim si shumë të tjerë. Na mungonte skuadra. Spalletti nuk ishte në gjendje të transmetonte disa parime dhe vetëm ai mund t'i dinte arsyet. Italia dukej bosh dhe ky ishte zhgënjimi më i madh. Kombëtarja italiane ka spikatur gjithmonë për qëndrueshmërinë dhe ndjenjën e përkatësisë në grup. Nuk kemi pasur kurrë Pelé, Maradona, Cruijff apo Messi, por asnjëherë nuk na kanë munguar futbollistët e shkëlqyer”, tha Gasperini.
“Fituesit tanë të Topit të Artë quhen Rivera, Rossi dhe Baggio. Në vitin 2006, një mbrojtës e fitoi, Cannavaro. Në atë ekip që fitoi Kupën e Botës ishin Iaquinta, Camoranesi, Gilardino, Oddo, Grosso dhe Perrotta. Ne italianët duam të nisim gjithçka nga e para kur ka një zhgënjim. Përkundrazi, ne duhet të nxjerrim një mësim dhe të fillojmë nga sektorët rinorë. 80% e të rinjve italianë luajnë futboll dhe nëse nuk arrijmë t'i zhvillojmë dhe t'i sjellim në ekipin e parë, sistemi është i gabuar", tha më tej Gasperini.